Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë. Kështu iu përgjigj thirrjes së protestuesve ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të cilat dëgjoheshin teksa ministri publikonte vendimit e Këshillit të Ministrave.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ai tha se qeveria është në një proces reflektimi dhe analize për të përmirësuar vendimmarrjen në interes të qytetarëve.
Sikurse edhe kryeministri Rama, ai përjashtoi mundësinë që qeveria të japë dorëheqjen si përgjigje ndaj kërkesave të protestuesve, duke argumentuar se mazhoranca ka një mandat të marrë nga qytetarët dhe duhet ta respektojë atë.
“Unë jam i lidhur shumë edhe historikisht dhe shpirtërisht me protestën si institucion. Natyrisht që matem shumë, jam matur në shumë prej daljeve të mia. Ne po analizojmë, po reflektojmë në çdo aspekt për çfarë është e mundur, që ne të bëjmë ç’ është e mundur që të kemi një proces vendimmarrjeje sa më të mirë për qytetarët tanë. Mund të ketë momente që ne mund të jemi edhe më kritikë ndaj vetes.
Tani të lëmë çdo gjë në mes dhe secili të heqë dorë nga gjithçka pa e ditur se çfarë është ajo që propozohet kalon përtej meje si Blend, kalon përtej meje si ministër. Ne kemi shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve, karshi vendit, karshi një kontrate që përfaqësojmë këtu. Është në respekt të vetë, protestës që ne të sillemi me përgjegjësi ndaj atyre që na kanë votuar. Ne duhet të respektojmë vullnetin e të gjithë qytetarëve. Vetëm kështu mund të mendojmë se mund të kemi një rezultat më të mirë. Nuk ka asnjë mundësi që të kemi një Shqipëri perfekte befas, menjëherë dhe në kaq pak vite të një periudhe kur PS-ja, kur shumë institucione që i kanë besuar PS-së kanë kaluar sfida të cilat ju i dini shumë mirë.
Mund të themi me zë të lartë që mandatet që kemi kaluar, kanë qenë të ndikuara e të kushtëzuara nga tërmeti, pandemia. Janë dashur vite e vite, që ne jemi përpjekur që të superojmë, që të përballojmë një prej situatave më të vështira që bota ka kaluar. Shqipëria i ka superuar këto situata, Shqipëria sot është në këmbë, Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë, por niveli shumë i lartë i pritshmërisë së qytetarëve nuk përputhet me realitetin, por kjo nuk do të justifikonte hedhjen poshtë të gjithçkaje të bërë në këto vite”.









