Sistemi i pikës doganore greke në Krystallopigi, në kufi me Kapshticën, ka pësuar një defekt ditën e sotme, duke shkaktuar radhë të gjata dhe pritje të konsiderueshme për udhëtarët.
Prej rreth tre orësh, funksionimi i sistemit në anën greke është ndërprerë, duke bllokuar kalimin e qytetarëve shqiptarë dhe udhëtarëve të tjerë që synojnë të hyjnë në territorin grek. Si pasojë, në zonën neutrale është krijuar një radhë e gjatë automjetesh, ndërsa temperaturat kanë arritur deri në 30°C.
Sipas udhëtarëve në vendngjarje, pala greke nuk ka dhënë ende sqarime zyrtare për situatën. Ndërkohë, pala shqiptare raportohet se po funksionon normalisht, pa probleme në përpunimin e dokumenteve.









