Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së enjtes në rajonin e Mesinisë në Greqi, ku një fëmijë 6-vjeçar u gjet pa ndjenja në pishinën e një banese.
Sipas mediave greke, fëmija ndodhej së bashku me nënën e tij, 32 vjeçe, shtetase shqiptare, e cila punonte si pastruese në një vilë dykatëshe. I mituri dyshohet se i ka shpëtuar vëmendjes së nënës, ndërsa ajo po kryente punët e pastrimit në katin e sipërm të banesës.
Pak më vonë, shqiptarja e gjeti djalin në pishinë pa shenja jete. Menjëherë u njoftua ambulanca dhe ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe u përpoqën ta rikthejnë në jetë.
Fëmija u transportua me urgjencë në Qendrën Shëndetësore të Pylosit, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe ekipeve të shpëtimit, ai ndërroi jetë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Gjithashtu, është urdhëruar kryerja e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.









