Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës ka reaguar lidhur me debatin e krijuar pas propozimit për Reformën e re Administrativo-Territoriale (RAT 2.0), e cila parashikon, mes të tjerash, bashkimin e bashkive Memaliaj, Libohovë dhe Këlcyrë me njësi më të mëdha vendore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të informohen mbi përmbajtjen e reformës, duke theksuar se diskutimi duhet të mbështetet në informacion të plotë dhe jo në keqkuptime.
“Është e rëndësishme të marrim sa më shumë informacion për Reformën e propozuar. Pyetje dhe përgjigje për këdo që kërkon të informohet mbi propozimin e PS për Reformën Administrativo-Territoriale (RAT 2.0)”, shprehet ajo.
Sipas saj, materiali informues i publikuar synon t’u japë përgjigje pyetjeve më të shpeshta që lidhen me reformën, si: çfarë ndryshon, pse po ndërmerret kjo reformë, nëse bashkitë shkrihen apo riorganizohen dhe cilat janë përfitimet për qytetarët.
Drejtuesja politike e PS thekson se objektivi kryesor i reformës është krijimi i bashkive më të forta, ofrimi i shërbimeve më cilësore dhe rritja e mundësive për zhvillim në çdo komunitet.
Ajo nënvizon gjithashtu se bashkimi i njësive vendore nuk duhet parë si shkrirje e tyre, por si një proces që synon forcimin e qeverisjes vendore.
“Qëllimi është vetëm një: bashki më të forta, shërbime më cilësore dhe më shumë mundësi zhvillimi për çdo komunitet. Bashkimi nuk është shkrirje. Bashkimi është forcë”, shkruan ajo, duke shtuar se komunikimi me qytetarët mbi reformën do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Propozimi për Reformën Administrativo-Territoriale ka hapur debat në disa zona të vendit. Në qarkun e Gjirokastrës, drafti i prezantuar parashikon bashkimin e bashkive Memaliaj, Libohovë dhe Këlcyrë me bashki më të mëdha, çështje që ka sjellë reagime të ndryshme nga përfaqësues lokalë dhe qytetarë.









