Kryebashkiaku i Libohovës, Leonard Hide, ka reaguar publikisht kundër propozimeve për shkrirjen e Bashkisë Libohovë me Bashkinë Gjirokastër, duke theksuar se qëndrimi i tij nuk lidhet me interesin personal apo me ruajtjen e postit, por me mbrojtjen e identitetit dhe të drejtave të komunitetit që përfaqëson.
Në një reagim të gjatë, Hide i përgjigjet kritikëve që, sipas tij, përpiqen ta paraqesin këtë debat si një përpjekje për të mbrojtur “karrigen”, duke nënvizuar se mandatin ia kanë besuar qytetarët përmes votës dhe se pikërisht ndaj tyre ka detyrimin të mbrojë interesat e Libohovës.
“Nuk kam dashur dhe nuk dua të justifikoj arsyen e karriges sime. Karrigen ma ka besuar populli me votën e tij dhe pikërisht atij i detyrohem të mbroj të drejtat, interesat dhe dinjitetin e komunitetit që përfaqësoj”, shprehet ai.
Hide thekson se zgjedhja për të jetuar në Libohovë dhe për të qenë pranë qytetarëve nuk ndryshon nga vendimet politike që mund të merren për të ardhmen administrative të bashkisë.
“Kam zgjedhur të jetoj këtu, mes njerëzve të mi. Me ta kam ndarë ditët e mira dhe të vështira, dhe me ta do të jem edhe nesër, pavarësisht çdo vendimi politik”, shkruan ai.
Sipas kryebashkiakut, debati për reformën administrativo-territoriale nuk duhet të reduktohet në çështje zyrash apo funksionesh, por duhet të mbështetet mbi argumente që respektojnë historinë, identitetin dhe vullnetin e komuniteteve lokale.
“Unë nuk flas për të mbrojtur një zyrë. Flas për të mbrojtur një qytet, një histori, një identitet dhe një komunitet që meriton të dëgjohet. Çdo vendim për të ardhmen e tyre duhet të mbështetet mbi argumente, jo mbi paragjykime”, thekson Hide.
Në fund të reagimit të tij, ai përdor edhe një metaforë për të përshkruar lidhjen e banorëve me qytetin e tyre, duke e cilësuar Libohovën si “yllin që nuk shuhet kurrë”.
“Për disa mund të jetë thjesht një bashki në hartë. Për ne është shtëpia jonë. Është vendi ku janë rrënjët tona, kujtimet tona, sakrificat tona dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Libohova është si ylli që nuk shuhet kurrë. Mund të errësohet për një çast, por nuk pushon kurrë së ndriçuari në zemrat e atyre që e duan. Përderisa ai yll do të ndriçojë, ne nuk do të reshtim së mbrojturi Libohovën. Jo për një karrige, por për një trashëgimi, për një identitet dhe për një të drejtë që nuk mund të tjetërsohet”, përfundon reagimi i kryebashkiakut.
Debati për reformën e re administrativo-territoriale ka sjellë reagime të shumta në qarkun e Gjirokastrës, ku një nga propozimet e diskutuara është bashkimi i Bashkisë Libohovë me Bashkinë Gjirokastër. Ky skenar është kundërshtuar nga përfaqësues vendorë dhe qytetarë, të cilët argumentojnë se Libohova gëzon një identitet historik, kulturor dhe institucional që nuk duhet të humbasë përmes një riorganizimi administrativ.









