Detaje të reja dhe dëshmi tronditëse po hedhin dritë mbi ditët e fundit para vrasjes së 45-vjeçares shqiptare Julieta Obzova në Nea Smyrni të Greqisë. Për ngjarjen akuzohet 48-vjeçari Altin Allmuça, i cili dyshohet se e qëlloi gruan me një armë që mbante pa leje.
Të afërm të viktimës dhe të autorit kanë rrëfyer për mediat greke momentet që i paraprinë tragjedisë, duke nxjerrë në pah kërcënimet e dyshuara, ndjekjen e gruas dhe lëvizjet e 48-vjeçarit para krimit.
Vajza e autorit: Nuk mund ta anashkaloj faktin që u bë vrasës
Vajza e Altin Allmuçës, në një intervistë për MEGA, tha se është e tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe se, pavarësisht humbjes së të atit, nuk mund të justifikojë krimin.
“Jam e tronditur nga e gjithë kjo që ka ndodhur. Nuk mund ta besoj që babai im e bëri këtë. Ai është babai im dhe do të më mungojë, kam humbur babain tim, por nga ana tjetër nuk mund të anashkaloj faktin që ka bërë një të keqe, që u bë vrasës. I mori jetën një njeriu dhe i mori nënën një vajze të moshës sime”, u shpreh ajo.
19-vjeçarja tha gjithashtu se ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe se nuk mban përgjegjësi për veprimet e babait të saj.
“Unë jam shumë keq psikologjikisht për gjithë këtë situatë. Nuk kam asnjë përgjegjësi dhe ndjej dhimbjen edhe të vajzës tjetër. Në thelb, ne jemi viktimat. Do të doja që e gjithë kjo histori të përfundonte këtu, të qetësoheshim dhe të respektonit dhimbjen tonë, në mënyrë që secili të mund të vajtonte njerëzit e dashur në mënyrën e vet”, tha ajo.
“E ndiqte kudo”, dëshmia për kërcënimet ndaj 45-vjeçares
Një e afërme e Julieta Obzovës pretendon se 48-vjeçari e ndiqte sistematikisht gruan gjatë periudhës së fundit.
“Kohët e fundit, kudo që shkonte dhe çfarëdo që bënte, e gjente përballë”, tha ajo.
Sipas dëshmisë, kërcënimet dyshohet se ishin bërë gjithnjë e më të shpeshta. Madje, Allmuça dyshohet se i kishte dërguar 45-vjeçares një fotografi me armë dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste e më pas do të vetëvritej.
“I kishte dërguar një fotografi me armën në kokë dhe i kishte thënë: ‘Do të të vras dhe do të vetëvritem’. Të gjithë i sugjeruam të shkonte në polici. Nuk e di përse nuk shkoi”, tha nusja e viktimës.
Sipas dëshmive, Julieta Obzova kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies pasi mësoi se Altin Allmuça ishte i martuar dhe kishte një vajzë 19-vjeçare. Pas ndarjes, sjellja e tij dyshohet se u përkeqësua.
Biseda me vëllain e viktimës pak ditë para krimit
Disa ditë para vrasjes, 48-vjeçari dyshohet se tentoi të takohej me vëllain e Julietës, duke i thënë se dëshironte të diskutonte për marrëdhënien me motrën e tij.
Dialogu i publikuar nga MEGA ishte:
Altin Allmuça: “Dua të takohemi për një kafe, të flasim.”
Vëllai i 45-vjeçares: “Të flasim për çfarë?”
Altin Allmuça: “Për atë që po ndodh me motrën tënde.”
Vëllai i 45-vjeçares: “Nuk mendoj se ka nevojë të takohemi vetëm ne të dy…”
Altin Allmuça: “Mirë o burrë, nuk do të vritemi, do të pimë vetëm një kafe.”
Vëllai i 45-vjeçares: “Më mirë lëre. Ta mbyllim këtu.”
Takimi mes tyre nuk u zhvillua.
“Mund të mos më shohësh më”, fjalët e fundit të autorit për vajzën
Dëshmitë e bëra publike hedhin gjithashtu dritë mbi lëvizjet e Allmuçës në orët para krimit.
Sipas një mikeshe të tij, para se të largohej drejt banesës së 45-vjeçares, ai u takua me vajzën e tij dhe i foli në një mënyrë që ajo ta kuptonte se mund të ishte hera e fundit që po e shihte.
U takua me vajzën e tij dhe i tha: “Të dua shumë. Je jeta ime. Por më ke lënduar sepse nuk më ke mbështetur. Doja të ishe pranë meje dhe mund të mos më shohësh më. Do të jetë hera e fundit që më sheh’”, tregoi ajo.
Më pas, sipas së njëjtës dëshmi, 48-vjeçari u kthye në shtëpi, zgjoi bashkëshorten dhe i la para, duke i kërkuar të kujdesej për vajzën.
U kthye në shtëpi rreth orës katër. Zgjoi gruan dhe i tha: ‘Eja këtu’. La disa para dhe i tha: “Kujdesuni për njëri-tjetrin dhe dua të kujdesesh për fëmijën, për fëmijën si për sytë e tu’. Filloi të qante, u ngrit dhe u largua”, tregoi mikesha e tij.
Pak më vonë, Allmuça dyshohet se shkoi pranë pallatit ku banonte Julieta Obzova dhe priti që ajo të dilte.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, kur 45-vjeçarja u shfaq, ai dyshohet se e detyroi të gjunjëzohej dhe më pas e qëlloi me armë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe rrethanat që çuan në vrasjen e 45-vjeçares shqiptare. /Syri.net









