I dërguari special i presidentit Trump në Ballkan për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka zhvilluar një vizitë në Tiranë.
Interesant është fakti, se ai vizitën e ka nisur nga kryegjyshata e bektashinjve, ku u takua me Baba Mondin.
Në qendër të vëmendjes së fjalës së tij, ishte ndërtimi i një qendre të avancuar shëndetësore dhe çështja e shtetit Bektashi, një projekt i prezantuar më herët nga kryeministri Edi Rama, i cili parashikon krijimin e një entiteti sovran në Tiranë.
I pyetur drejtpërdrejt për krijimin e shtetit Bektashi, ai tha se e ka dëgjuar propozimin si nga kryeministri Rama, ashtu edhe nga kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Mondi.
Ai theksoi se vendimi i takon popullit shqiptar dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë atë.
“E kam dëgjuar kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, deklaroi Zampolli, duke shtuar se, nëse populli shqiptar e dëshiron një zhvillim të tillë, atëherë sipas tij “kjo është një gjë e mirë”.
“Si presidenti Trump, ashtu edhe sekretari Rubio, dhe unë vetë, të gjithë besojmë në bashkëjetesën ndërfetare dhe në të gjitha objektet e kultit.
Personalisht ndihem i bekuar. Nëna ime ishte kushërirë e Papa Montinit, Palit VI. Në familjen time ka pasur edhe një shenjtor. Dhe çfarë dite më të bukur se kjo për të qenë këtu, me Shenjtërinë e Tij Bektashiane, pikërisht në Ditën e Nënë Terezës.
Kjo është shumë prekëse për mua. Kisha dëgjuar për atë që keni këtu dhe është vërtet e jashtëzakonshme. Doja ta shihja me sytë e mi dhe jam shumë i impresionuar. Dua ta përgëzoj vëllain tim për atë që po bëni.
Unë kam lindur në Itali, por jam krenar që i shërbej shtetit dhe presidentit të SHBA. Sigurisht, ne kemi edhe një marrëdhënie biznesi, por Presidenti e kupton gjithashtu të ardhmen dhe ka shumë programe, në lidhje me mjekësinë, siç është programi “Right to Try”.
Nga sa kuptova shkurtimisht, ajo që po bëni këtu me partnerët amerikanë është diçka e shkëlqyer. Dhe padyshim, kjo mund të jetë një bazë shumë e mirë, sepse ne kemi nevojë për spitale.
Unë kam katër vjet që përballem me kancerin, ndaj e kuptoj se sa e vështirë është të kesh kancer. Ne duhet t’i shërojmë njerëzit tanë dhe, padyshim, çfarë mund të jetë më mirë sesa të kemi një partneritet me amerikanët”, tha ai.
Për sa i përket shtetit Bektashi që pritet të krijohet këtu në Shqipëri, cili është qëndrimi juaj?
“E kam dëgjuar. Kam dëgjuar kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin. Dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar do ta respektojë vendimin e popullit të Shqipërisë.
Epo, po mësoj nga ju dhe mendoj se populli i Shqipërisë e dëshiron këtë. Prandaj, nëse populli juaj e dëshiron, mendoj se kjo është një gjë e mirë. Mirë, kam dëgjuar disa njerëz të flasin, por ndoshta jo popullin. Prandaj duhet të flasë populli”, tha ai.
Në media, shpesh është aluduar se pas idesë së Ramës për krijimin e shtetit Bektashi, qendron SHBA dhe Izraeli, për të zbutur ndikimin e Turqisë.
Vizita e mikut të Trump, që e nisi pikërisht nga kryegjyshata e bektashinjve, i shton më shumë aludimet.









