• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Kurbani i fundit për Kosovën

16/09/2026
Kurbani i fundit për Kosovën

Nga Lutfi Dervishi

Drejtësia e lupës politike dhe dora e historisë

Kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi morën armët për çlirimin e Kosovës, vështirë se ndonjëri prej tyre ishte i sigurtë se do të kthehej gjallë në shtëpi.

Në atë kohë në Kosovë nuk mendonte kush se çfarë do të bëhej pas 25 apo tridhjetë vjetësh sepse pyetja e ditës ishte: a do të jemi nesër gjallë?

Sot, gati tri dekada më vonë, katër prej drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëgjuan në Hagë verdiktin e një gjykate politiko-gjoja ligjore të krijuar posaçërisht për krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burg. Për një burrë 58-vjeçar, është pothuajse pjesa tjetër e jetës.

Lufta nuk është film ku një regjisor cakton të mirët dhe të këqijtë, skenat, dialogët dhe fundin. Lufta nuk është klinikisht e pastër aq më tepër dhe veçanërisht kur është një luftë e imponuar dhe shqiptarët vetëm luftuan për vetëmbrojtje. Nuk besoj se ka luftë ku çdo veprim është i ligjshëm.

Sigurisht që çdo viktimë meriton drejtësi, dhe asnjë luftë, sado e drejtë të jetë kauza e saj, nuk të jep imunitet për krime.

Por drejtësia, si asgjë, nuk zhvillohet në vakum. Ajo ka kontekst. Konteksti quhet Jugosllavi dhe shpërbërja e përgjakshme e saj. Konteksti quhet Bosnjë, Srebenicë, pastrim etnik, vrasje dhe dëbim masiv i shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre. Konteksti janë kolonat e refugjatëve, fshatrat djegur, varret masive, viktimat ende pa varr.

UÇK-ja nuk hyri në territorin e Serbisë për të pushtuar Beogradin, ajo luftoi në Kosovë, për Kosovën dhe për popullin e saj. Bota demokratike e asaj kohe nuk qëndroi neutrale ndaj pastrimit etnik që po ndodhte para syve të saj. NATO ndërhyri ushtarakisht në vitin 1999 duke bombarduar Beogradin dhe pas luftës, Kosova kaloi nën administrim ndërkombëtar. Më 2008 Hashi Thaci i dënuar sot me 25 vjet burg, (vetë drejtësia serbe e kishte dënuar 10 vjet në mungesë më 2005), shpalli vendimin e parlamentit të Kosovës për pavarësi. Kosova sot është shteti më i ri i kontinentit. Ky është konteksti që asnjë vendim gjykate nuk mund ta fshijë.

Vendimi i sotëm mund të debatohet dhe duhet të debatohet, por historikisht dhe në kontekst ai jep një pamje të shëmtuar. Drejtësia politiko- juridike i ka ngulur një thikë në shpinë drejtësisë historike. Kur drejtuesit e një lëvizjeje çlirimtare marrin dënime që praktikisht mund t’i mbajnë në burg gjithë jetën, lind pyetja nëse drejtësia po gjykon vetëm përgjegjësinë individuale apo, në perceptimin e një populli të tërë, po vendos në bankën e të akuzuarve edhe vetë luftën.

Kjo është arsyeja pse në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, seanca e sotme nuk u përjetua si proces penal, por po përjetohet si një plagë historike politike.

Një gazetare që ndodhej në sallë e përshkroi atmosferën pas shqiptimit të vendimit vetëm me një fjalë: “Varrim”. Ndoshta është fjala më e saktë për atë çast.

Për familjarët dënimet janë të përjetshme. Sot, bashkëluftëtarët nuk panë vetëm katër të dënuar në sallën e gjyqit, panë katër njerëz me të cilët, dikur, kishin hyrë në një luftë pa e ditur se çfarë do të sillte e nesërmja.

Kosova sot nuk pa katër të pandehur në bankën e akuzës, por pa katër emra të historisë së saj që dënohen se luftuan për vetëmbrojtje!

Fati e solli që të katërt i mbijetuan luftës, e panë Kosovën të çliruar, panë flamurin e saj, panë shpalljen e Pavarësisë. Hashim Thaçi e lexoi deklaratën e pavarësisë si Kryeministër i Kosovës dhe më vonë u bë President i Republikës deri një ditë nëntorit të 2020, kur u nis drejt Hagës. Ai nuk u arrestua në ndonjë bodrum, nuk u kap në arrati, por dha dorëheqjen nga posti i Presidentit dhe u paraqit para drejtësisë.

Që prej atëherë kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet paraburgim dhe sot erdhi verdikti.

Mund të diskutojmë pafundësisht për gjithçka, për standardet e provës, përgjegjësinë komanduese, ndërmarrjen e përbashkët kriminale, dëshmitarët dhe çdo paragraf të vendimit, vërtetësia e informacioneve që u janë dërguar prokurorëve, por një gjë nuk mund ta vendosë asnjë trupë gjykuese: nuk mund të vendosë se çfarë ishte UÇK-ja për historinë e Kosovës. Këtë verdikt historia e ka dhënë më herët. Kosova është e lirë dhe sot Kosova është shtet. Dhe ata të katër luftuan për këtë shtet.

Nuk mund ta shkëpusësh vitin 1998 nga ajo që kishte ndodhur më parë dhe nga ajo që ndodhi më pas. Nuk mund ta marrësh një copë të luftës, ta vendosësh nën mikroskop dhe të sillesh sikur pjesa tjetër e historisë nuk ekziston.

Afroje lupën mbi dorën tënde. Sa më shumë ta zmadhosh, aq më shumë do të shohësh rrudha, njolla, pore, shenja dhe papërsosmëri. Po ta shohësh vetëm përmes lupës, mund të arrish në përfundimin se ke një dorë të shëmtuar dhe se do të ishte më mirë të kishe një tjetër.

Por hiqe lupën dhe sheh se është dora jote.

Nëse vendos nën lupë vetëm një fragment të një lufte, do të gjesh patjetër plagë, gabime, padrejtësi, madje edhe krime. Ato duhen hetuar dhe gjykuar. Por lupa nuk mund të zëvendësojë pamjen e plotë. Një luftë nuk kuptohet vetëm duke numëruar njollat e zmadhuara. Duhet të largosh lupën dhe të pyesësh edhe: pse nisi, kush e imponoi, çfarë po ndodhte me një popull dhe çfarë solli ajo luftë në fund. Lupa mund të të tregojë çdo shenjë të dorës, por nuk mund të të tregojë çfarë ka bërë ajo dorë.

Ndoshta ndonjëri prej të katërve, pas dënimeve të sotme, rrezikon të mos kthehet më i gjallë në shtëpinë prej së cilës doli dikur për luftë. Por një vendim gjykate mund të mbajë dikë në burg, por nuk burgos dot kontributin e tij.

Misioni për të cilin ata të katërt morën armët është kryer. Kosova sot është shtet.

Katër të dënuarit e sotëm mund të shihen nga shumëkush si kurbani i fundit i një lufte që nisi me njerëz të gatshëm të jepnin jetën për një shtet që të gjithë e shihnin në ëndërr.

Related Posts

Arrestohet ish-drejtori i Kadastrës në Fier, veprimet e tij janë denoncuar edhe në SPAK 2 vite më parë
Kryesore

Arrestohet ish-drejtori i Kadastrës në Fier, veprimet e tij janë denoncuar edhe në SPAK 2 vite më parë

16/09/2026
Drejtësi apo turp? Shqiptarët janë dënuar për luftën me 150 vite burgim më shumë se serbët
Blog

Drejtësi apo turp? Shqiptarët janë dënuar për luftën me 150 vite burgim më shumë se serbët

16/09/2026
Rexhep Selimi dënohet me 13 vite burgim
Kryesore

Rexhep Selimi dënohet me 13 vite burgim

16/09/2026
Kadri Veseli dënohet me 18 vite burgim
Kryesore

Kadri Veseli dënohet me 18 vite burgim

16/09/2026
Jakup Krasniqi dënohet me 25 vite burg
Kryesore

Jakup Krasniqi dënohet me 25 vite burg

16/09/2026
Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burgim
Kryesore

Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burgim

16/09/2026

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Arrestohet ish-drejtori i Kadastrës në Fier, veprimet e tij janë denoncuar edhe në SPAK 2 vite më parë

Arrestohet ish-drejtori i Kadastrës në Fier, veprimet e tij janë denoncuar edhe në SPAK 2 vite më parë

16/09/2026
Nuk u zbraz kurrë, Vllaznia gjen problemin që e penalizoi

Vllaznia në krizë, katër muaj pa fitore në kampionat! Kuqeblutë kërkojnë me urgjencë kthesën

16/09/2026
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al