Një operacion i Policisë së Gjirokastrës kundër kontrabandës së mallrave ka çuar në pranga dy persona, të cilët dyshohet se transportonin mallra të kontrabanduara nga Greqia drejt Shqipërisë.
Operacioni policor, i koduar “Akciza 3”, u finalizua në aksin rrugor Kakavijë–Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajonale Vlorë-Gjirokastër.
Në pranga u vunë shtetasit O. L., 43 vjeç, dhe M. D., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë. Sipas Policisë, ata e drejtonin me radhë autobusin e ndaluar për kontroll nga shërbimet policore.
Gjatë kontrollit, në vende të mbyllura dhe të fshehura të autobusit u gjetën 100 steka me cigare dhe 22 695 euro, ndërsa në bagazh u konstatuan një sasi e konsiderueshme mallrash të ndryshme.
Mes mallrave të sekuestruara janë produkte deti dhe mishi, produkte bulmeti, kuti me medikamente, 13 thasë me veshje të markave të ndryshme, si dhe mallra të tjera, për të cilat Policia dyshon se janë kontrabanduar nga Greqia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan autobusi, 22 695 euro, mallrat e dyshuara të kontrabanduara dhe një aparat celular.
Dy 43-vjeçarët po hetohen për disa vepra penale, ndër të tjera kontrabandën me mallra të ndaluara ose të kufizuara, kontrabandën me mallra që i nënshtrohen akcizës, tregtimin dhe transportimin e mallrave kontrabandë, mosdeklarimin në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë, fshehjen e të ardhurave dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.









