Lumturi Patushi, 58 vjeçe, u vra nga bashkëshorti i saj, 69-vjeçari Hysni Patushi, pas një konflikti në banesën e vajzës së tyre.
Sipas të dhënave të hetimit, shkak i konfliktit dyshohet se ishte fakti që Lumturia kalonte një pjesë të madhe të kohës te vajza e saj, ku kujdesej për katër nipërit e mitur. Bashkëshorti i saj nuk e pranonte këtë situatë.
Patushi u largua nga banesa e çiftit në “Don Bosko” me një thikë në dorë dhe shkoi te banesa e vajzës, në zonën e “Rrugës Ranorama”. Aty, në prani të nipërve, ai goditi bashkëshorten në zemër, duke i shkaktuar vdekjen.
Ngjarja vjen pas një historie të mëparshme dhune. Në vitin 2017, 69-vjeçari ishte arrestuar pasi kishte dhunuar Lumturinë, me të cilën kishte shtatë fëmijë.
Pas krimit, ai hodhi thikën pranë pallatit dhe u largua drejt Kamzës, ku takoi një të afërm. Më pas vendosi të vetëdorëzohej në polici, ku pranoi vrasjen dhe deklaroi se alkooli kishte ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit.
Thika e përdorur në krim u gjet dhe u sekuestrua nga policia, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë ndihmuan në rindërtimin e lëvizjeve të autorit.









