Shqipëria renditet ndër vendet europiane ku ardhja e një fëmije në jetë krijon barrën më të lartë financiare në raport me të ardhurat.
Shpenzimet vetëm për produktet bazë të një bebeje gjatë vitit të parë arrijnë në rreth 66% të pagës mesatare vjetore, duke e renditur vendin të dytin në Europë për këtë tregues, pas Moldavisë.
Të dhënat vijnë nga një analizë e Remitly, e pasqyruar nga Euronews, e cila ka përllogaritur kostot bazuar në çmimet e korrikut 2026 dhe i ka krahasuar ato me të ardhurat mesatare të punonjësve. Në Moldavi, vendi me barrën më të lartë, shpenzimet për produktet bazë të fëmijës përfaqësojnë 88.8% të pagës mesatare vjetore, ndërsa menjëherë pas saj vjen Shqipëria me 66%.
Diferenca me pjesën tjetër të vendeve është e konsiderueshme. Në Turqi, këto shpenzime përfaqësojnë 45.1% të pagës mesatare vjetore, në Mal të Zi 45%, në Serbi 41.4%, në Bosnjë-Hercegovinë 36.1%, në Portugali 35.7% dhe në Hungari 34.7%.
Në skajin tjetër të renditjes ndodhen ekonomitë ku të ardhurat më të larta e bëjnë shumë më të përballueshme të njëjtën shportë produktesh. Kostoja përfaqëson vetëm 5.4% të pagës mesatare vjetore në Belgjikë, 6% në Luksemburg, 6.7% në Danimarkë, 7.5% në Mbretërinë e Bashkuar dhe 7.6% në Norvegji. Në Irlandë dhe Zvicër pesha është 8%, në Gjermani 8.1%, në Austri 8.2% dhe në Francë 8.5%.
Për Shqipërinë, problemi nuk lidhet vetëm me nivelin e pagave. Edhe në vlerë nominale, vendi rezulton ndër më të shtrenjtët në Europë për produktet bazë të një foshnjeje. Sipas përllogaritjes, një familjeje shqiptare i duhen rreth 5,532 euro gjatë vitit të parë vetëm për një shportë të përcaktuar produktesh esenciale.
Kjo e vendos Shqipërinë mbi mesataren europiane prej 4,727 eurosh dhe mes vendeve ku kostoja kalon pragun e 5 mijë eurove. Më shtrenjtë rezulton Spanja, me 6,294 euro në vit, e ndjekur nga Holanda me 6,140 euro, Finlanda me 6,066 euro, Suedia me 6,025 euro dhe Zvicra me 6,018 euro.
Në grupin prej 5 mijë deri në 6 mijë euro gjenden gjithashtu Luksemburgu me 5,665 euro, Italia me 5,609 euro, Lituania me 5,563 euro, Shqipëria me 5,532 euro, Serbia me 5,509 euro dhe Mali i Zi me 5,500 euro. Më pas renditen Portugalia, Sllovakia, Norvegjia dhe Islanda.
Krahasimi nxjerr në pah një paradoks të fortë për Shqipërinë: çmimet e shportës së produkteve për një bebe janë të krahasueshme me ato të disa prej ekonomive me të ardhura shumë më të larta, ndërsa fuqia blerëse e familjeve shqiptare është dukshëm më e ulët. Për shembull, kostoja nominale në Shqipëri prej 5,532 eurosh është vetëm 486 euro më e ulët se në Zvicër, por në Zvicër ajo përfaqëson vetëm 8% të pagës mesatare vjetore, kundrejt 66% në Shqipëri.
Analiza përfshin 14 produkte bazë, të grupuara në gjashtë kategori: ndërrimin e pelenave, ushqyerjen me biberon, qumështin formulë, produktet e gjumit, transportin dhe veshjet. Në llogaritje përfshihen ndër të tjera pelenat, pecetat e lagura dhe kremrat, biberonët, formula për bebe, krevati dhe dysheku, çarçafët e batanijet, sedilja e makinës, karroca dhe veshjet bazë.
Në nivel europian, pjesën më të madhe të faturës e zënë veshjet, me mesatarisht 30.3% të totalit, të ndjekura nga qumështi formulë me 25.7% dhe pelenat me 24.5%. Të marra së bashku, këto tri kategori përfaqësojnë rreth 81% të shpenzimeve të llogaritura për vitin e parë.
Në vlerë monetare, familjet europiane shpenzojnë mesatarisht rreth 1,465 euro për veshjet e fëmijës, 1,187 euro për qumështin formulë dhe 1,152 euro për pelenat, ose rreth 3,804 euro vetëm për këto tri kategori.
Megjithatë, studimi nuk përfshin një prej zërave që mund ta rrisë ndjeshëm faturën reale të familjeve: çerdhen dhe shërbimet e tjera të kujdesit për fëmijët. Gjithashtu, raporti mes kostos dhe pagës nuk merr i vetëm parasysh të gjithë faktorët që përcaktojnë përballueshmërinë reale, si numri i personave që punojnë në familje, tatimet, transfertat sociale dhe mbështetja shtetërore për prindërit.
Edhe me këto kufizime, krahasimi evidenton hendekun e fortë të fuqisë blerëse. Ndërsa mesatarisht në vendet e analizuara produktet bazë të vitit të parë të një bebeje kushtojnë sa 20.9% e pagës mesatare vjetore, në Shqipëri pesha arrin në 66%, më shumë se trefishi i kësaj mesatareje./ekofin









