Një llogari në Signal ishte klonuar në emër të Taulant Ballës. Edhe pse kreu i grupit parlamentar të PS-së ndodhej në USA, në “emër” të tij i shkruhet Armando Dukës, kreut të FSHF-së. “Më duhen 100 mijë euro”, i shkruhej në SMS. Duka e kupton që ishte mashtrim, ndaj vendos t’i drejtohet policisë. Zhvatësit e parave kërkonin që lekët të shkonin në llogari kriptomonedhash.
Por këtu hyn në lojë policia. Një agjent i infiltruar fillon komunikimin me personat që kërkonin para. I infiltruari iu shkruan se nuk kupton nga kriptomonedhat, por, nëse ishin dakord, mund t’u paguante cash. Vendosin, pas shumë komunikimesh, që të bënin dorëzimin e parave. Çanta me lekë do të dorëzohej në Elbasan. Aty u arrestuan edhe dy të dyshuarit, Edison Korra dhe Orest Balla.
“Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social. Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij”, tha policia. Lidhur me këtë rast, janë duke vijuar hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë.









