Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar propozimin e Partisë Socialiste, për Reformën e re Administrativo-Territoriale, me 85 vota pro.
Ajo është kundërshtuar gjerësisht pasi redukton numrin e bashkive nga 61 në 46, duke shkrirë 15 bashki të vogla.
Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosit me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Në qarkun e Beratit, Dimali dhe Poliçani bashkohen me Beratin, ndërsa në qarkun e Fierit, Patosi bashkohet me Fierin dhe Divjaka me Lushnjën.
Në jug të vendit, Selenica bashkohet me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Në qarkun e Korçës, Maliqi bashkohet me Korçën, ndërsa në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin dhe Përrenjasi me Librazhdin.
Deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar fortë propozimin e socialistëve, si të kalkuluar në favor të interesave elektorale të partisë që qeverisë sot vendin, sesa zgjidhje e halleve të qytetarëve, raporton newsbomb.al.
Bashkitë që shkrihen dhe bashkohen:
Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
Klos + Mat → Bashkia Mat
Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
Dimal + Poliçan + Berat → Bashkia Berat
Patos + Fier → Bashkia Fier
Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
Cërrik + Belsh + Elbasan → Bashkia Elbasan
Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd
Bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku është shprehur se asnjë shërbim nuk do të largohet nga qytetet të cilat do t’iu bashkohen bashkive më të mëdha. Ndërkohë, në pothuajse të gjitha bashkitë që shkrihen, ka pasur kundërshtim ndaj propozimit, qoftë dhe ato që drejtohen nga të majtët.









