Briken Calaj, legjenda kuqezi e peshëngritjes, pëson një dëmtim në kofshë duke e detyruar të tërhiqet nga Botërori i Peshëngritjes. Me ana të një reagimi në rrjetet sociale, Calja sqaroi se nuk dëshiron të rrezikojë më shumë, për këtë arsye vendosi të mos garojë në këtë Botëror që po zhvillohet në Kinë:
Një moment shumë i vështirë, por një vendim i domosdoshëm!
Me keqardhje njoftoj tërheqjen time nga Kampionati Botëror për shkak të një dëmtimi në kofshë dhe në pjesën e mesit, që e bën të pamundur vazhdimin e garës.
Pavarësisht formës së jashtëzakonshme sportive që kisha dhe vazhdoj të kem, sot më duhet të bëj një hap pas. Një vendim aspak i lehtë, sidomos kur e di sa shumë kam punuar, sa sakrifica kam bërë dhe sa i përgatitur isha për këtë kampionat.
Por karriera e një sportisti nuk ndërtohet mbi një garë të vetme. Kampionati i radhës po afron dhe nuk mund të rrezikoj që një dëmtim të më mbajë larg pedanes për një periudhë të gjatë.
Ky nuk është dorëzim, por një vendim i menduar për të mbrojtur gjithçka që kam ndërtuar dhe për të vazhduar rrugëtimin dhe objektivat e mia.
Beteja ime nuk përfundon këtu. Do të rikthehem sërish më i fortë dhe më i vendosur se kurrë!








