Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të naftës dhe benzinës në Shqipëri.
Sipas vendimit të marrë këtë të premte, 30 tetor, nafta do të shitet me pakicë me jo më shumë se 218 lekë për litër, ndërsa benzina me 179 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i shitjes me shumicë për naftën është përcaktuar në jo më shumë se 206 lekë për litër, ndërsa për benzinën në 167 lekë për litër.
Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, në orën 15:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur mund të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit të karburanteve që të zbatojnë vendimin, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit. Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.









