Edhe pse ishte kamufluar si një protestë e studentëve, Sali Berisha e bëri të qartë edhe njëherë së është Partia Demokratike ajo që do të organizojë protestën e nesërme përballë kryeministrisë në orën 12:00.
Në një deklaratë për mediat ditën e sotme ai u bëri thirrje militantëve të PD-së nëpër rrethe që t’i bashkohen protestës që partia e tyre do të zhvillojë nesër.
“PD fton të gjithë anëtarët, anëtaret, mbështetësit e saj nga mbarë vendi në protestë kombëtare të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore.
Nesër i japim një mesazh qeverisë se studentët kanë dhe do të kenë mbështetjen e plotë tonën.
Studentët në revoltën e tyre kërkojnë që të mbeten fëmijë të këtij vendi. Kërkojnë që ëndrrën e tyre më të bukur rinore ta ndërtojnë në Shqipëri dhe për Shqipërinë, për veten dhe familjet e tyre. Të gjithë me studentët, të gjithë në Tiranë, kjo duhet të jetë motoja jonë nesër”, përfundoi Berisha.
Protesta e thirrur nga Partia Demokratike është parashikuar të nisë në orën 12:00.









