Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë ndaj pretendimeve se Lëvizja Vetëvendosje qëndron pas protestave qytetare në Shqipëri, duke mohuar çdo përfshirje të forcës politike që drejton në organizimin apo nxitjen e tyre.
Gjatë mbledhjes së 64-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti u shpreh se kishte ndjekur me habi përpjekjet për t’ia atribuar partisë së tij protestat në Tiranë.
“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Por, të dashur delegatë të Këshillit të Përgjithshëm dhe aktivistë e anëtarë të tjerë, ne sot jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese”, deklaroi Kurti.
Kryeministri i Kosovës kujtoi se Vetëvendosje ka një histori të gjatë protestash, por theksoi se asnjëherë nuk ka vepruar në mënyrë të fshehtë dhe nuk ka përdorur të tjerët për të realizuar qëllimet e veta politike.
“Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve. As nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë ndokush tjetër, por as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, u shpreh ai.
Kurti theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të shihen si marrëdhënie rivaliteti politik apo institucional.
“Ne jemi në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian apo për arritjet e ekonomisë dhe të turizmit në Shqipëri”, deklaroi kryeministri kosovar.
Megjithatë, Kurti nuk i shmangu shqetësimet për zhvillimet në Shqipëri. Ai foli për nevojën e një demokracie që nuk i nënshtrohet oligarkisë dhe kërkoi që, përtej identifikimit të përgjegjësve për dhunën gjatë protestave, të kuptohen edhe shkaqet që kanë çuar në përplasje.









