Një shef italian kuzhine në Brisbane të Australisë është pushuar nga puna pasi refuzoi të përgatiste pica me proshutë dhe ananas, duke argumentuar se vendosja e këtij fruti në picë përbën një fyerje për kulturën italiane.
Bëhet fjalë për Davide Tamburellën, i cili punonte në restorantin La Costa, tashmë i mbyllur. Ai u pushua nga puna në muajin maj, rreth dy javë pas një takimi me drejtuesit e restorantit, ku ishin diskutuar disa ankesa lidhur me sjelljen e tij në ambientet e punës.
Një prej çështjeve ishte pikërisht refuzimi i tij për të përgatitur pica me proshutë dhe ananas për klientët gjatë një aktiviteti. Në atë kohë, Tamburella kishte deklaruar se udhëzimet e menaxhmentit nuk duhej të zbatoheshin nëse ato ishin fyese për kulturën e tij.
Rasti doli në dritë pasi shefi i kuzhinës iu drejtua Komisionit të Punës së Drejtë të Australisë, duke pretenduar se ishte pushuar padrejtësisht nga puna.
Në vendimin e publikuar të martën, komisioni vuri në dukje se refuzimi i tij lidhej me bindjen se, si italian, vendosja e ananasit në picë ishte një fyerje për kulturën e tij. Sipas dokumentit, kjo ishte hera e tretë që ai kishte refuzuar të përdorte këtë përbërës gjatë katër viteve të fundit.
Tamburella i kishte kërkuar më herët edhe shefit të tij që të merrte në konsideratë rëndësinë që ka për italianët tradita e mosvendosjes së ananasit në picë.
Megjithatë, ankesat ndaj tij nuk kufizoheshin vetëm te kjo çështje. Drejtuesit kishin ngritur shqetësime edhe për përdorimin e gjuhës së papërshtatshme, mënyrën e komunikimit dhe përshkallëzimin e konflikteve në vendin e punës.
Vendimi përmend edhe një incident të ndodhur në prill, kur Tamburella kishte thyer kockat e dorës së djathtë pasi kishte goditur një parmak metalik.
Shefi italian shpresonte gjithashtu që restoranti ta sponsorizonte për një vizë që do t’i mundësonte qëndrimin e përhershëm në Australi. Por pas largimit të tij nga puna, restoranti ndërpreu edhe këtë proces.
Në fund, Tamburella humbi çështjen për shkarkim të padrejtë, pasi kërkesa e tij ishte paraqitur jashtë afatit ligjor.
Drejtori menaxhues i restorantit, Elliot Ingram, deklaroi për Daily Mail se kjo histori kishte shumë më tepër sesa një debat për përbërësit e picës.
Ndërkohë, sipas profilit të tij në LinkedIn, Tamburella punon tashmë në një tjetër restorant në Brisbane. Interesant është fakti se, sipas një verifikimi të BBC-së, në menunë e restorantit të ri nuk figuron pica me ananas.
Ironikisht, Queensland, shteti ku ndodhet Brisbane, konsiderohet zemra e prodhimit të ananasit në Australi dhe prodhon të gjithë ananasit e kultivuar komercialisht në vend.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









