Një 19-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Transit 3”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me një 21-vjeçar nga Kosova po transportonin kundrejt pagesës katër shtetas kinezë, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë.
Operacioni u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, pas administrimit të informacioneve për transportimin e paligjshëm të emigrantëve.
Në pranga përfundoi shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Konispol, ndërsa bashkëpunëtori i tij, A. S., 21 vjeç, banues në Kosovë, është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, 19-vjeçari monitoronte rrugën për praninë e shërbimeve të Policisë, ndërsa 21-vjeçari e ndiqte pas me automjetin ku transportoheshin katër shtetasit kinezë në drejtim të Konispolit.
Gjatë ndërhyrjes së efektivëve, në afërsi të Konispolit, i riu nga Kosova braktisi automjetin dhe u largua me vrap, duke përfituar nga terreni dhe errësira.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve.









