Burgu i Fierit, të cilin Erion Veliaj e denoncon si vendin ku po keqtrajtohet dhe nuk po merr kujdesin e duhur mjekësor, për Drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, është një institucion model, me kushte që synojnë standardet evropiane dhe trajtim dinjitoz të të burgosurve. Bodo ka zhvilluar një vizitë inspektuese pikërisht në institucionin ku transferoi ish-kryebashkiakun e Tiranës, por në njoftimin zyrtar nuk ka asnjë përgjigje për akuzat e tij.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, IEVP Fier vlerësohet lart për infrastrukturën dhe organizimin e punës.
“IEVP Fier përfaqëson një model të zhvillimit të sistemit penitenciar, me infrastrukturë dhe kushte që synojnë përmbushjen e standardeve evropiane, duke ndërthurur sigurinë me trajtimin dinjitoz, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Drejtoria e Burgjeve thekson gjithashtu se në këtë institucion i kushtohet vëmendje e veçantë arsimimit, kurseve profesionale dhe ushtrimit të besimit fetar. Gjatë vizitës janë testuar edhe kushtet teknike për zhvillimin e seancave gjyqësore online me Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Vizita e Bodos vjen në një kohë kur Erion Veliaj ka ngritur akuza të vazhdueshme për transferimin dhe trajtimin e tij në këtë institucion.
Ish-kryebashkiaku i Tiranës u transferua nga burgu i Durrësit në atë të Fierit më 28 tetor, me vendim të Sadleva Bodos, menjëherë pas marrjes së detyrës prej saj në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Veliaj e ka cilësuar transferimin si një formë “internimi dhe keqtrajtimi”, duke pretenduar se vendimi është marrë me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama.
Ai ka denoncuar gjithashtu probleme me gjendjen shëndetësore, veçanërisht një dëmtim në këmbë, si dhe vonesa në marrjen e trajtimit të nevojshëm mjekësor.
Pavarësisht këtyre ankesave, në njoftimin për vizitën inspektuese të Sadleva Bodos nuk përmendet Erion Veliaj dhe nuk jepet asnjë sqarim për pretendimet e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mjaftohet me vlerësimin se IEVP Fier mbetet një institucion model, ku “siguria, respektimi i të drejtave dhe rehabilitimi mbeten shtylla themelore”./VNA









