Jeff Ekhator rikthehet në qendër të vëmendjes, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e Juventusit në përballjen ndaj Omonia Nicosias në Europa League. Një mbrëmje speciale për 20-vjeçarin, i cili pas një periudhe të gjatë të kushtëzuar nga dëmtimet, debutoi si titullar me bardhezinjtë dhe arriti të linte gjurmën e tij në fitoren e skuadrës.
I afruar në Torino pas paraqitjeve pozitive me Genoan, Ekhator tregoi lëvizshmëri, pjesëmarrje në lojën sulmuese dhe aftësi për të sulmuar hapësirat. Cilësi që mund t’i japin Luciano Spallettit një alternativë të rëndësishme në repartin ofensiv, në një kohë kur trajneri kërkon edhe afrimin e një qendërsulmuesi me fizikalitet në merkaton e janarit.
Megjithatë, mbrëmja nuk përfundoi pa shqetësime, pasi sulmuesi u zëvendësua në pjesën e dytë për shkak të një ngurtësimi në pulpë, që do të vlerësohet nga stafi mjekësor i Juventusit.
Pavarësisht kësaj, goli i parë bardhezi është një sinjal pozitiv për talentin e vitlindjes 2006, i cili kërkon të lërë pas dëmtimet dhe të fitojë më shumë hapësira në skuadrën torineze.
“Dëshiroja shumë të rikthehesha në fushë dhe të bëja atë që dua. Jam i lumtur që ndihmova skuadrën të fitonte”, u shpreh Ekhator pas ndeshjes.







