Nga Shpëtim Nazarko
Ka kohë që Tritan Shehu është bërë shumë aktiv jo vetëm në median e shkruar. Dhe kjo jo vetëm në çështjet e politikës së jashtme, që duket se e ka detyrë kuvendi, por edhe në probleme të karakterit lokal. Prej dy ditësh, edhe tek Konica.al, sheh një shqetësim të madh të tij për problemin e arkivit të Gjirokastrës, humbja e të cilit me të drejtë quhet krim historik.
Parë thjesht, edhe pa bërë propagandë pro atyre që janë në pushtet, ka një diferencë të madhe sjelljeje mes tyre dhe partisë ku militon Tritani. Mjafton të shohësh Muzeun Marubi, apo Muzeun Kombëtar të Ikonografisë në Korçë, për ta kuptuar diferencën e palëve në sjelljet ndaj këtyre lloj vlerave kombëtare, prishja e të cilave, dhe këtë po e përsërisim ashtu siç thotë Tritani, do të ishte krim historik.
Paraqitja e mësipërme nuk do të thotë domosdoshmërisht që çështja e arkivit nuk do parë me vëmendje. Po mendoj se Tritani, ashtu si dhe qeveria që ai kritikon, duhet të shohin një gjë tjetër më me vëmendje e që mund ta themi fare thjesht.
Nuk ka humbur arkivi, ka humbur gjithë Gjirokastra!
Dhe them se po vazhdoi kështu, Gjirokastrën do ta njohim ose nga “Kronika në gur” ose nga “Breznia e Hankonatëve”, që, për mua, është vepra më e madhe e Kadaresë.
Po çfarë pune ka që t’i biem në qafë Tritanit për këtë humbje, kur ai vetë në rastin në fjalë është vetëm një vërejtës i një problemi të caktuar në një rreth, në të cilin ndoshta mund të jetë deputet?
Nuk ishte ndonjë çudi e madhe që në kohën e tranzicionit të shihnim humbjen e shumë qyteteve që u ngritën pas 1944-s. Lindja e një qyteti është ashtu si ajo e fëmijës, i cili, po qe rakitik që në fillim, jeta e tij do të jetë e shkurtër. Mjafton të shohësh fare pak afër Gjirokastrës, Memaliajn. I ngritur si qytet për shkak të minierës ashtu si shumica e qyteteve nga Shkodra në Tiranë (rrotull nja dhjetë të tilla) ato do të fillonin e të mbyllnin ciklin me humbjen e burimit fillestar që i krijoi.
Po këtë gjë nuk mund ta thuash dot për qytete të tilla si Shkodra, Korça, Vlora, Durrësi. Sado dëme të pësojnë në periudha të trazuara, ato të lindura në mënyrë të shëndetshme, apo ndryshe të projektuara fillimisht në mënyrë gjeniale nga gjyshërit e mëdhenj, i kalojnë krizat e tyre.
Në radhën e qyteteve të këtij lloji hyn pa dyshim edhe Gjirokastra. Po si është e mundur që ky qytet pësoi dëme më shumë nga të gjithë të tjerët në kohën e tranzicionit?
Kadareja më shpjegonte një ditë me pasion strukturën e brendshme të mbijetesës së një qyteti gjatë kohës së Perandorisë turke. – Kishte pafundësi nëpunësish të lartë, – tha, – që punonin në qendrën e Perandorisë dhe në pensionin e tyre vinin në shtëpitë nga ishin nisur.
Po kishte edhe bejlerë të dorës së parë, që kishin prona të patundshme shumë në Greqinë e Veriut, e që i mbajtën deri në mesin e dy luftërave botërore. Mund të shtosh se në një farë mënyre ishte dhe njëfarë qendre izolimi, a internim, e Peranorisë turke, që kishte shumë të tilla në vendet që kishte pushtuar. Po të shtosh këtu edhe karakterin nikoqir të gjirokastritit, që martohej sipas legjendës, ndonjëherë edhe brenda fisit, për të mos humbur atë tokë të paktë që zotëronte, e kupton se ke të bësh me një çudi të madhe, që reflektohet në pyetjen:
Si është e mundur që ky qytet madhështor u shkatërrua shumë më shpejt se simotrat apo sivëllezërit e tij në kohën e tranzicionit?
Mund të thuash që beneficet apo favoret e përmendura më lart humbën që nga viti ’44 e këtej, dhe ka qenë vetëm kujdesi i Hoxhës për të mbajtur me një farë mënyre gjallë qytetin ku kishte lindur. Kjo jo vetëm nëpërmjet fabrikave, shkollave të klasit të parë, apo festivaleve që merrnin fonde ekstra për të rindërtuar shtëpitë karakteristike. Mbarimi i këtyre beneficeve shënoi dhe fillimin e mbarimit të Gjirokastrës.
Mjaft të shkoje në këtë qytet madhështor aty nga vitet ’95 – 2000, për të parë si po vetasgjësohej me shpejtësi.
Duke e parë atë periudhë, prapë mendon se mund të kishte ende resurse. Kam shkruar shpesh në gazetën time atëherë për kontrabandën e madhe të luftës në ish-Jugosllavi. Që nga cigarja e deri te nafta, apo çdo gjë që i duhej ushtarit për luftë, fillonte udhëtimin e vet pak kilometra nga Gjirokastra, pra në Kakavijë, e përfundonte në Shkodër.
Tritani, natyrisht, e njeh mirë këtë periudhë, sepse ishte në drejtimin e njërës prej firmave që kujdesej për naftën e më duket e kishte emrin “Shqiponja”. Sikur në këtë kontrabandë të madhe të merrej një taksë e vogël, që t’i shkonte rrugëve të Gjirokstarës nga kalonte gjithë kjo xhepane e madhe, me siguri që qyteti mund të mos rrënohej…
Beneficet jo të rregullta vazhduan me Lazaratin afër saj, e që qarkulloi po para të madhe këtë periudhë e më pas. E, megjthatë, brenda një harku 10-vjeçar, nga 1990 deri në 2000, Gjirokastra, që ishte kaq afër ngjarjeve të këtij lloji, humbi jo vetëm shkëlqimin, po shkoi me një shpejtësi të lemerisshme drejt vetasgjësimit.
Beneficet e përmendura më sipër ishin gjysmëkriminale, megjithëse bëheshin nën hundën e shtetit… Shumë mund ta kritikojnë këtë mënyrë gjykimi, që mban erë nga ajo që përdori Kryetari i Malit të Zi, Vukanoviç, i cili e përdori kontrabandën edhe në favor të shtetit… Duke rënë dakord me këta kritikë, prapë nuk më mban vendi të them një ide që po ia propozoj publikisht Tritanit.
Tritan, hajde vemë bashkë në Gjirokastër! Po ta propozoj ty këtë ide, para se t’ia them publikisht kryeministrit të këtij vendi, që, me gjithë gabimet, siç të thashë në artikull, i ruan mirë letrat e shtetit, përfshirë dhe arkivat apo muzetë historikë.
Duke qenë se ke eksperiencë të madhe edhe në drejtim të shkollës (po flas për Universitetin Italian të Tiranës) vemë bashkë në Gjirokastër. Ndoshta mund t’u lutemi bile edhe italianëve si në rastin e universitetit ku qeveris edhe ti. Senatori i përjetshëm, Andreoti, dikur më thoshte se e kishte njëfarë amaneti nga Nënë Tereza që ai të bëhej spital, po nejse, edhe shkollë e lartë, mirë është.
Vemë në Gjirokastër edhe propozojmë një shkollë më të thjeshtë se Universiteti Italian këtu në Tiranë. Kjo shkollë mund të përgatisë muratorë, gurgdhendës, njerëz që punojnë dru etj. Është edhe në traditën e gjirokastritëve kjo gjë. Mbasi të bëjmë këtë shkollë, që mund të jetë me bursa shteti me 100 a 200 nxënës, u kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë. Praktikën mësimore ta bëjnë me ringritjen e shtëpive të vjetra të Gjirokastrës, që po japin shpirt. Gur apo lëndë të parë, ka sa të duash në Goranxi, a kudo aty afër, dhe kështu nuk vuajmë për gjë.
Tani, po e bëre këtë gjë, meqë je dhe deputet, unë do të ndjek nga prapa si ogiç. Bile jam gati të rri dhe si njeri i rrahur kur të mbash fjalime para popullit për këtë ide.
Mos ki frikë, se nuk gjejmë dot fonde. Gjirokastra është qytet nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe me siguri do ta përkrahë një inisiativë të tillë. Megjithëse besoj që nuk duhen shumë para, p.sh. të rangut 8000 euro, për një student në vit si në Universitetin Italian në Tiranë, ku militon edhe ti. Do të duhen shumë më pak. Studentët do hanë, do flenë dhe do ta paguajnë bursën e tyre duke bërë praktikën mësimore, siç të thashë, në shtëpitë e rrënuara të Gjirokastrës.
Të betohem, Tritan, që nëse del në përkrahje të kësaj nisme, po të dalë edhe Universiteti yt, ca më mirë, megjithëse nuk ta kërkoj, do ta ngre unë një pjesë të popullit në këmbë, bile edhe nëse qeveria del kundër.
Bëje, Tritan, lëre atë dreq pune të arkivit. Hajde të vemë bashkë në Gjirokastër, që të kemi ç’të tregojmë kur të vijë pleqëria… Fundja, edhe ti dhe unë bëjmë ndonjë punë më të dobishme…/Konica.al