Qeveria ka miratuar disa nga vendimet kyçe që “reformojnë” taksimin mbi pronën, duke nisur nga formula e re dhe shkalla e taksimit te krijimi i një drejtorie të veçantë që do të ndihmojë vendorët në proces dhe do të luajë rolin e arbitrit në konflikt. Por kur data 1 prill ka kaluar, mbeten të paqarta një seri detajesh, mes të tjerave: cili do të jetë agjenti, a është gati Regjistri Qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme, si do të veprojnë bashkitë që sot kanë në dorë veç metodologjinë dhe “kadastrën e vjetër”. Baza e re e të dhënave, sipas konfirmimeve zyrtare, pritet të jetë gati vetëm pas dy viteve.
Taksimi i pronës, sipas formulës së re të miratuar nga qeveria, ka filluar zyrtarisht që nga data 1 prill. Por kur gjithçka duhet të ishte e qartë dhe në vendin e vet, sepse janë të paktën katër vite që flitet për Kadastrën Fiskale dhe “reformimin” e taksimit të pronës, ka ende shumë mjegull për atë që do të ndodhë. Qeveria ka miratuar shkallën e taksës, metodologjinë e saj, përjashtimet nga kjo taksë dhe “menaxherin” qendror që do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Taksës dhe Pasurisë. Por çfarë mungon në fakt në këtë“sipërmarrje” të qeverisë?
Mungon, së pari, agjenti tatimor që do të mbledhë këtë taksë. Edhe pse është deklaruar se agjent do të jetë OSHEE, ende nuk është kaluar asnjë hallkë që të sanksionojë këtë pjesë. Së dyti, mbetet e paqartë se çfarë baze të dhënash ka sot Drejtoria e Taksës dhe Pasurisë, funksionimi dhe organizmi i së cilës u rregullua vetëm një javë më parë, me një vendim qeverie.
Bashkitë ende nuk kanë informacion për aksesin që do të kenë në këtë regjistër dhe druhen se 2018 do të jetë një vit jo dhe aq produktiv në mbledhjen e taksës, pasi rakordimi i regjistrit qendror me regjistrin e bashkive dhe situatën reale në terren do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë.