Kreu i grupit të punës për organizimin e PD në Gjirokastër Florian Xhuti është kërcënuar me jetë.
Ngjarja është denoncuar në media ditën e djeshme, ndërsa Xhuti ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë ngjarje.
Në një intervistë për “Gazetën Panorama” zyrtari i PD rrëfen kërcënimin që ka marrë pas mbledhjeve me strukturat e PD në Tepelenë dhe në Memaliaj, ku thekson se ka folur për mbrojtjen që Rama i bën Saimir Tahirit dhe ish-shefave të policisë. Sipas tij, ngjarja ka motive politike.
“Ishte ora 22.00 kur paralel me mjetin tim vjen një makinë, në krahun tim të pasagjerit. Unë isha vetëm. Më bënë një shenjë që të hap krahun. Mendova se kishte ndonjë urgjencë dhe unë ndalova në rrugë. Mjeti që më bëri shenjë ndaloi më pas paralelisht me mua.
Njëri prej autorëve u afrua të xhami i makinës dh më pyeti:
Si e ke emrin?
Florian i them, përse?
Ai më afrohet më shumë, më nxjerr pistoletën dhe më thotë: po ti mor, vjen na shan ne në shtëpinë tonë? Ai ishte rreth 35 vjeç, ndërsa autori tjetër i thoshte “zbrite poshtë more”.
Për fjalën ‘në shtëpinë tonë’ nuk e di për çfarë e kishte fjalën, por di që kohët e fundit, në qendër të deklaratave të mia kanë qenë akuzat për ish-ministrin Tahiri. Mbaj mend të kem thënë se “Edi Rama mbron Tahirin , në vend që t’ia dorëzojë atë drejtësisë”, është shprehur zyrat i PD.
Ai ka deklaruar se dy autorët nuk ka mundur t’i identifikojë për shkak të errësirës, por zërat e tyre i ka të memorizuar.
Lidhur me këtë ngjarje reagoi dje në një deklaratë për mediat Partia Demokratike, përmes deputetit Enkelejd Alibeaj, i cili i ka kërkuar Policisë së Shtetit që të zbardhë sa më shpejt ngjarjen.