Me sytë e mbyllur dhe duart e vendosura mendueshëm, Eqrem Cabej do të jetë përgjithmonë në oborrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Vepra e realizuar nga Hektor Dule është përuruar në një ceremoni ku merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama si dhe vajza e gjuhëtarit Brikena Çabej.
”Thuhet se bustet ashtu si pemët shekullore, nuk qendrojnë dhe zenë vend rastësisht në tokë. Për to, duket se në mënyrë të pashmangshme, koha, natyra dhe njerëzit, përzgjedhin e seleksionojnë “farat” e forta, e gjithçka që mbart histori, kuptim e vlerë. Pastaj, befas, ashtu si pa kuptuar, në një ditë të caktuar vetëm llojet e duhura, ato “mbijnë” e zënë vend përgjithnjë, ashtu edhe bustet si ky i akademik Ҫabejt që do të përurojmë sot.
Po ҫfarë Ҫabej ishte, është dhe do të mbetet për ne? Ai është më së pari një simbol, simbol i shkencëtarit dhe i atdhetarit, i ndërgjegjes shkencore dhe i ndërgjegjes qytetare, i fisnikërisë njerëzore dhe i moralit njerëzor, kjo e provuar vijueshmërisht në tre sisteme: gjatë mbretërisë, pushtimit nazifashist të vendit si dhe komunizmit.
Vepra dhe personaliteti i Tij hapi një periudhë të re në historinë e shkencës filologjike shqiptare dhe e bëri atë epokë, pasi shënoi kalimin nga faza parashkencore e diletantizmit romantik në fazën shkencore të mendimit pozitivist, duke e integruar dijen albanologjike shqiptare në proceset e zhvillimit të gjuhësisë bashkëkohore”, u shpreh akademik Vasil S. Tole, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave.
Sipas tij, Ҫabej është edhe një figurë emblematike e shkencës dhe e kulturës shqiptare. Vepra e tij rroku disa fusha të dijes albanologjike: gjuhësinë historike dhe veҫanërisht etimologjinë, gjuhësinë e krahasuar dhe studimet historiko-letrare të krahasuara, etnologjinë dhe veҫanërisht folkloristikën, mitologjinë dhe dialektologjinë historike, leksikografinë dhe kulturën e gjuhës.
”Eqrem Ҫabej është i pari gjuhëtar shqiptar që trajtoi e zgjidhi në nivelin e dijes e të shkencës botërore probleme themelore të albanologjisë me të cilat ishin marrë para tij emra të mëdhenj të gjuhësisë botërore, pasi “për mendjen e hapur të Eqerem Ҫabejt nuk ka pasur konflikt midis vatrës dhe botës”.
Sot Ҫabej është shndërruar vetë në një nga këta emra të mëdhenj të gjuhësisë botërore, emër që sot e mban më së pari vepra e Tij, e mban universiteti në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër, fondacioni që ruan dhe promovon trashëgiminë e tij akademike si dhe çmimi Ҫabej, më i rëndësishmi vlerësim që Akademia e Shkencave akordon ҫdo vit për studimin dhe botimin më të mirë në fushë të shkencave albanologjike e shoqërore”, tha Tole.








