Kuqezinjtë u “mbytën” mbrëmjen e të hënës në Skoci, nga shiu i rrëmbyeshëm, por mbi të gjitha përballë presionit dhe ofensivës së vendasve. Shqipëria u mund nga Skocia me rezultatin 2-0 në raundin e dytë të vlefshëm për Grupin 1, të Ligës C, në turneun e Ligës së Kombeve. Një disfatë që u vendos nga një autogol i Gjimshitit në minutën e 47’ nën presionin e Naismith dhe nga një gabim fatal i Strakoshës në të 68’ që i kushtoi kuqezinjve golin e dytë. Ndërkohë, është e pamohueshme që veç disa rasteve sporadike në kundërsulm të shpërdoruara nga Shqipëria, e gjithë ndeshja foli në favor të Skocisë, që mund të kishte fituar me një rezultat shumë herë më të thellë.
Vërshëllima e parë e takimit mjaftoi që Skocia të imponohej plotësisht në gjysmëfushën e Shqipërisë, me kuqezinjtë të impenjuar plotësisht në ndalimin dhe neutralizimin e ofensivës së vazhdueshme të vendasve. Në të 24’ ishte shtylla e djathtë ajo që i erdhi në ndihmë Strakoshës dhe shpëtoi Shqipërinë nga një gol i shpejtë që do të kishte për autor Naismith. I njëjti protagonist dërgoi topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Strakosha në të 41’, por anësori sinjalizoi për pozicion të parregullt. Shqipëria reagoi me Memushaj që në të 42’ kishte një rast të artë, kur në kundërsulm, në hyrje të zonës së Skocisë goditi, por topi përfundoi jashtë kuadratit.
Ende pa nisur mirë pjesa e dytë, Skocia tronditi kuqezinjtë me autogolin e Gjimshitit me kokë, nen presionin e Naismith. Reagimi i kuqezinjve ishte me Balaj që i vetëm përballë portierit, dërgoi topin jashtë portës së Skocisë. Sulmuesi shkodran ishte sërish protagonist në të 50’, kur dorëzoni në duart e portierit kundërshtar një top të artë të shërbyer nga Xhaka. Të panumërta ishin rastet e përfaqësueses së Skocisë në zonën kuqezi, për të kulmuar në të 59’ me rastin e McGregor që nën presionin e Veselit nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë. Në të 66’ Balaj kishte shanset të minimizobte humbjen, kur topin e asistuar nga Ndoj e dërgoi mbi traversë. Një “gjysëm autogoli” ndodhi edhe në minutën e 68-të, me Naismith që përfitoi në maksimum nga një dalje e gabuar e Thomas Strakoshës, për ta dërguar me kokë sferën në fundin e rrjetës dhe për t’i hipotekuar fitoren Skocisë. Me këtë fitore Skocia ngjitet në krye të grupit 1 të Ligës C, në kuotën e 3 pikëve, aq sa Shqipëria, por me golavarazh më të mirë se kuqezinjtë.