Nga Zhaklin Lekatari
Të gjithë ne i pëlqejmë, për të mos thenë se i kemi të domosdoshme herë pas here ato mbledhjet “veç me çunat”. E shohim si një mënyrë për të dalë nga monotonia, si një kthim në kohën e beqarisë, apo qoftë edhe veç si një mënyrë për të shfryrë dufin e jetës së përditshme. Asgjë të çuditshme në këtë mes.
Edhe femrat e bëjnë. Nuk ma merr mendja se ka ndonjë vajzë që thotë se nuk e ka të nejoshme një të dalë vetëm me gocat herë pas here. Dhe për sa kohë të dyja palët nuk e ekzagjerojnë, është plotësisht e shëndetshme. Si mashkull më ka rënë të bëhem pjesë e kush e di sa “konklavave” të tilla! Veç se në këto mbledhje tonat nuk diskutohet për vdekjen e Papës… se Papa as nuk vdes çdo javë.
Temat e bisedave tona janë shumë më të përditshme dhe konkrete. Politika, makinat, futbolli… dhe patjetër seksi! Këto janë dashuritë e meshkujve të çdo moshe. Vetëm se ky shkrim nuk është as për politikën, as për makinat dhe as për futbollin (Maradona është më i miri në botë dhe pikë). Ky shkrim është për seksin! Mjafton që fare rastësisht të hidhet në tavolinë tema e seksit, shpesh nga ai më hokatari i grupit, dhe gjërat fillojnë të lëvizin. Alkooli në anën tjetër bën magjinë e tij dhe fjalët rrëshkasin më lirshëm. Një ish, një fiksim i vjetër, apo edhe dashnorja e fundit i japin pigment rozë e më rozë muhabetit. A është normale kjo?! Seksi edhe pse jo themeli, është një ndër nevojat bazike në piramidën e nevojave njerëzore. Hej, pa të askush nuk do të ishte këtu fundja! Ashtu si flet për atë tavën e krapit që hëngre të shtunën në Shirokë, ashtu mund të flasësh pa komplekse edhe për seksin.
Në këtë frymë fjalën e merr i pari, ndoshta ai që vetpropogandohet si Kazanova i grupit. Kështu fillon e të flet për njërën, që ku e si e njohu nuk ka rëndësi. Ajo që duhet ditur është se kjo njëra ishte “kafshë” fare. Nënvizoj fjalën “kafshë”, se deri kur të çohesh nga ajo tavolinë kush e di sa herë të tjera do e dëgjosh. Ajo në shumicën e rasteve ishte një femër e vështirë, që bënte sikur s’donte “t’ia linte”. Por ky miku jonë ia kishte dalë ta zbuste kafshën. Dhe bëmat e tyre i kishte marrë dëgjuar një mëhallë e tërë.
Në përpjestim të drejtë me kërshërinë e tavolinës (po jo gjithmonë se ka edhe nga ata që duan medoemos të tregojnë edhe pse askush nuk do t’i dëgjojë) është edhe përshkrimi i detajuar i skenave. Kështu mbyllet historia e treguesit të parë, që shpejt ia lë vendin të dytit. I dyti i hap rrugë të tretit e kështu me rradhë, derisa ti ke dëgjuar mjaftueshëm material sa vret mendjen pse nuk zgjodhe më mirë të shohësh ndonjë film porno të lirë. Nëse ndodh që të kesh ndonjë tip karizmatik në grup edhe argëtohesh me batutat dhe ironitë që ky mund të këpusë si nën mëngë ndaj tregimtarëve. Gjithsesi, natës i vjen fundi, birra e fundit rrëkëllehet dhe të vjen koha të largohesh, shpesh mosbesues për ç’ke dëgjuar, por nganjëherë edhe me besim se të paktën në gjithë atë film ka diçka reale.
Por, ja ku të rastis, që ndonjëherë të njohësh ndonjë nga “kafshët” për të cilat të kanë treguar. Dhe “kafsha” flet! Por kur “kafshët” fillojnë të flasin historitë shndërrohen në fabula!
Atëhere ti befas kupton. Kupton se gjatë gjithë jetës ke dëgjuar veç për suksese. Si shpjegohet që asnjë nga shokët e tu nuk ka folur për dështime?! Vallë meshkujt nuk kanë ndonjëherë ditë të këqjia në shtrat?! Apo mos ndoshta nuk ju lejohet të kenë?
Kështu me keqardhje kupton se mentaliteti, padituria, apo shoqëria i ka ndrydhur meshkujt. Kupton se kurrë nuk ke biseduar me shokët e ngushtë dhe sa të paditur jeni mbi ejakulacionin e parakohshëm, impotencën, bllokimin psikologjik, ndikimin e stresit në seks, apo qoftë edhe për ndërtimin anatomisë të organeve njerëzore. Kupton se sa shumë, absolutisht, pak, dini ti dhe shokët e tu për seksin. Kupton se gjithçka që shqiptarët dijnë rreth seksit i ka bazat në legjenda urbane, apo filma porno jocilësorë.
Të gjitha këto të shtyjnë të mbërrish në konkluzionin se shqiptarët nuk dijnë të bëjnë seks dhe se ajo vajza me tatuazhe, me të cilên qeshe kur e dëgjove në tv… ka të drejtë. E ç’është më e keqja meshkujt shqiptarë nuk pranojnë të edukohen për seksin!(tabu.al)