Nga Mero Baze
Studentët shqiptarë kanë të drejtë të jenë të revoluar. Ata janë të varfër, të pashpresë dhe me shumë pak shanse të jenë të shkolluar mirë, edhe nëse arsimohen falas, edhe nëse arsimohen me lekë, dhe me fare pak shanse për punësim.
Problemi më i madh që ka sistemi ynë arsimor sot, është se Universitetet janë kthyer në një gënjeshtër të madhe, që japin diploma, por jo arsim cilësor. Megjithë ndërhyrjet në sistem në vitin 2014, me mbylljen e dhjetra fabrikave të diplomave, tregu i arsimit mbeti ende i varfër, i korruptuar, dhe mbi të gjitha, Univeristeti publik, shkëlqen nga korrupsioni, paaftësia dhe pafuqia për t’u menaxhuar si institucion i pavarur.
Nuk jam shumë entuziast, pse studentët fituan të drejtën të mos paguajnë kur përsërisin provimet, apo kur i mbartin ato. Është një detaj banal në pirgun e madh të plehut të arsimit në Shqipëri.
Ndaj, e vetmja gjë për të cilën mund të gëzohen studentët sot, është që qeveria reflektoi nga protesta e tyre, por jo për atë çfarë ata kërkojnë.
Ajo çfarë studentët i bën të sigurtë, në një sistem arsimor në Shqipëri, nuk janë thjeshtë tarifat, por arsimi cilësor dhe siguria se kjo cilësi përfillet nga tregu i punës në të ardhmen.
Dhe arsimi cilësor vjen nga një treg i hapur, konkurrent mes Universiteteve publike dhe atyre private, nga një rankim dinjitoz i Universiteteve dhe nga ndjeshmëria që tregu i punës do të ketë ndaj kësaj cilësie.
Në fillim duhet nisur me studentët cilësorë.
Shqipëria duhet t’i garantojë çdo djali dhe vajze të këtij vendi, qoftë fëmijë e një fshatari pa bukë, apo një milioneri, apo zyrtari, që nëse është i talentuar, nëse është i shkëlqyer në mësime, të shkojë në Univeristet i paguar nga shoqëria. Në dispozicion të tyre duhet të jetë fondi i ekselencës, bursat që duhet të akordojnë vetë Universitetet, dhe një sistem i tërë përkrahjeje, në mënyrë që asnjë fëmijë i talentuar i këtij vendi të mos mbesë pa shkollë, për shkak të mundësive ekonomike.
Kështu ndodh edhe në Perëndim. Nëse ty të pranojnë Universitetet më të famshme të botës, gjithmonë gjendet dikush që ta paguan shkollën, edhe pse është super e shtrenjtë. Në shumë raste ta paguan vetë Universiteti. Dhe këtu jemi tek beteja për të formuar elitën tonë universitare në vend, ndaj duhet të investojmë.
Së dyti, duhet të kemi pedagogë cilësorë. Mjerisht, shumica e trupës pedagogjike të Universiteteve tona, është mediokre, e korruptuar dhe me një formim akademik të diskutueshëm. Garda e vjetër e profesorëve të vërtetë, formuar nga shkollat e vjetra ruse, apo perëndimore, tashmë kanë ikur dhe pedagogu më popullor quhet Artan Fuga, meqë shkruan përditë në gazeta dhe Facebook.
Fallciteti i gradave dhe titujve shkencorë, plagjiatura që ka bërë kërdinë mbi këto tituj, dhe klientelizmi i mënyrës se si është formuar piramida e trupës universitare, duhet të pësojë një tërmet. Çdo Universitet privat apo publik, duhet të ngrejë urgjent institucionin anti-plagjiaturë, dhe duhet të detyrojë çdo pedagog që ka tituj shkencorë, të riformatojë punimet e tij shkencore në formatin e kontrollit të plagjiaturës dhe të verifikojnë punimet e tyre. Kujtoj që gradat shkencore fallco në Shqipëri kanë efekt financiar, pasi për to paguhen, dhe është detyrim që ato të verifikohen, pasi nuk është vetëm vjedhje e pronës intelektuale, por dhe dëm financiar shkatuar shtetit. Mund të ketë një amnisti për të mos u ndëshkuar për manipulimin, por absolutisht duhet hequr çdo gradë apo titull shkencor fallco në këtë vend.
Më tej Akoma, gara në Universitete nuk duhet të jetë kush mbledh më shumë lekë nga studentët, por kush Universitet bën më shumë lekë nga kërkimi shkencor dhe nga të qënit i dobishëm për shoqërinë. Universitetet më të famshme në botë, nuk jetojnë me lekët e studentëve, edhe pse ato pagesa janë aq të larta, sa të marrin shpirtin. Ato jetojnë me kërkimet shkencore dhe projektet që i shesin tregut.
Kur Universitetet tona të arrijnë këtë, do të jetë lajm i mirë.
Së fundmi, dhe e di që kjo është anti-popullore, por duhet të ndalim masivizimin e Universitetit, duke e parë atë si një rrezik real për shoqërinë. Pashë një status të Sali Berishës që thoshte se në protestë kishte 120 mijë studentë… Kjo nuk ka rëndësi për shifrën në protestë, se dhe dhjetë mijë bëjnë punë, por ka rëndësi për shoqërinë. Nëse Shqipëria prodhon 120 mijë studentë këtu, arsimi i lartë në këtë vend ka marrë fund.
Universiteti nuk është arsim i detyruar parashkollor, apo 9 vjeçar. Universiteti është standart, është cilësi, është elitarizëm dhe jo populizëm. Të talentuarve duhet t’ua garantojmë Universitetin pa lekë dhe t’i kërkojmë aty ku janë. Të tjerët duhet të mësohen të jetojnë me një sistem arsimor i cili të pranon për të filluar shkollën, por nuk e ka detyrë të të kalojë doemos dhe të shqetësohet për çdo hallin tënd. Ndryshe Universitetet në vend të studentëve, do të prodhojnë vazhdimisht protestues, dhe do vrasim me duart tona studentët e talentuar, ata që shkojnë për të mësuar aty.
Në këtë pike, qeveria mund të adaptojë sistemin amerikan të kredive studentore, që shlyhen pas studimeve, por kjo kërkon një treg pune të sigurtë.
Tregu i punës, i cili është kriteri kryesor që rankon Universitetet në Perëndim, në një vend të korruptuar si i yni, do të vrasë shpresën për meritokraci, pasi studentët e talentur, do të humbasin si gjilpëra në kashtë, në masivizimin e Universiteteve.
Tani të shkosh në një treg universitar që ka mbi 100 mijë studentë jocilësorë, ku shumica e tyre punojnë në Call Center-at e Gones, për të shtyrë ditët në Tiranë, dhe kur mbarojnë askush nuk ka dëshirë t’i marrë në punë, pasi i konsideron të pakualifikuar, është një tragjedi shumë më e madhe, se sa ajo që duhet të paguajnë pak më shumë, nëse ka provim të mbartur.
Në vendet me arsim cilësor, një provim i mbetur është një goditje e rëndë jo vetëm financiare, por dhe cilësore për studentin.
Në Universitetet angleze përshembull, nëse mbetesh në një lëndë, kur e përsërit atë, edhe pse mund të marrësh notë të shkëlqyer “A”, të quhet thjesht notë kaluese, duke ta ulur mesataren në mënyrë poshtëruese. Dhe kjo bëhet për ta kuptuar se ke ardhur për të mësuar dhe jo për të ngelur.
Ndaj beteja themelore duhet të mbetet beteja për arsim cilësor, për të garantuar çdo student të talentuar të këtij vendi që të arsimohet falas, dhe për të ndalur masivizimin e arsimit të lartë, si një mënyrë kriminale për të relativizuar vlerat e elitës universitare në Shqipëri.
Ndryshe jo vetëm që këto Universitete nuk do prodhojnë studentë, por më keq Akoma, do të prodhojnë një kategori sociale që gjithë jetën do mallkojë veten që ka humbur kohë në Universitet dhe do të ndjehet e paaftë për të bërë diçka në këtë vend.