Ndeshja e sotme mes Luftëtarit dhe Laçit ka dhuruar një episod shumë të diskutueshëm në pjesën e dytë, që tregon se FSHF duhej t’i kishte dhënë më shumë rëndësi këtyre sfidave dhe të shtonte numrin e takimeve ku të përdoreshin gjyqtarët e linjës.
Një gjuajtje e Filit në minutën e 66 të sfidës, u përplas në traversën e portës dhe më pas topi përfundoi brenda vijës së portës e kërceu jashtë. Protesta të shumta të lojtarëve të Luftëtarit dhe të publikut në stadium, por për gjyqtarin Emirjon Sino dhe asistentin e tij nuk ishte gol.
Sigurisht, nëse do të kishte pasur gjyqtar të linjës në këtë ndeshje, ai do të cilësohej gol i rregullt, pasi topi duket qartësisht se ka kaluar vijën. Por anësori nuk e ka menduar të tillë dhe si rrjedhojë i hoqi mundësinë Filit të festonte një gol të shkëlqyer që do të kishte bërë më të thjeshtë ndeshjen për ekipin gjirokastrit.