Nga Blendi Fevziu
Vullnetet politike testohen në momente delikate. Deklaratat vihen në provë kur vjen momenti për t’i konkretizuar ato. Ajo që po ndodh në Maqedoni, është as më shumë dhe as më pak, rrënimi i një filozofie politike që dukej se ishte pranuar nga të gjithë. Eshtë rrënimi i një Maqedonie multietnike me bashkëjetesën e shqiptarëve dhe maqedonasve në bazë të saj. Ajo që ka ndodhur dje në Maqedoni nuk është thjeshtë shkelje e kushtetutës; nuk është as grusht shteti siç e ka quajtur Zaev; nuk është as një manovër politike për të favorizuar partinë votat e së cilës kanë sjellë presidentin në atë zyrë. Jo! Ajo që ka ndodhur dje në Maqedoni, është vërtetimi se 16 vitet e Marrëveshjes së Ohrit kanë qenë thjeshtë një fasadë. Rrëzimi i kësaj fasade ka risjellë në skenë urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe paaftësinë e Maqedonasve për t’i pranuar këta të fundit si qytetarë të barabartë dhe vendimmarrës në Maqedoni.
Dje, Presidenti i Maqedonisë Ivanov, ka deklaruar se nuk do t’i japë mandatin për qeverisje Zoran Zaevit, pasi pranimi nga ana e tij e platformës shqiptare cënon sovranitetin e vendit.
Sipas mediave, Ivanov tha se me platformën shqiptare, Maqedonia është shantazhuar, se me të është rrezikuar uniteti dhe sovraniteti i vendit, nga një dokument paszgjedhor i partive politike shqiptare i nënshkruar në Tiranë pas bisedimeve me Edi Ramën. Sipas Ivanov, ky dokument ka futur në një krizë edhe më të madhe vendin, duke vënë në pikëpyetje themelet e interesave të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Ai ka shtuar se për sa kohë që do të jetë në krye të vendit, nuk do të mandatojë një qeveri që angazhohet, ose ka në program cënimin e pavarësisë së Maqedonisë.
Në fakt deklaratën e Ivanovit, përveç një paranoje, ka pak ose aspak vërtetësi. Në çdo krizë në Maqedoni Tirana zyrtare, pavarësisht qeverive të majta apo të djathta, ka luajtur rol moderator. Ajo nuk e ka fshehur që ka pasur dy parime: stabilitetin e Maqedonisë si një shtet multietnik dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve. E padyshim prosperitetin e tyre. Shqipëria nuk ka përkrahur në asnjë rast dizintegrimin e Maqedonisë dhe e ka konsideruar jo serioze këtë gjë edhe kur propozimi ka ardhur nga Shkupi politik.
Në rastin e fundit, Shqipëria nuk ka qenë larg qëndrimi që ka mbajtur BE dhe SHBA për zhvillimet në Maqedoni. Nëse Shqipëria ka luajtur një rol, ai ka qenë thjeshtë konsultues dhe me dëshirën që faktori shqiptar të jetë i unifikuar në kërkesat që shkojnë në favor të shqiptarëve atje. Kjo është minimalja dhe detyrimi bazë që Republika e Shqipërisë, si një shtet me një histori 105 vjeçare ka ndaj bashkëkombasve të saj që jetojnë në Republikën 25 vjeçare të Maqedonisë.
Rasti i fundit nuk ka të bëjë fare me Shqipërinë. Presidenti Ivanov dëshmoi se shqiptarët janë konsideruar në Republikën e Maqedonisë, si një dekor. Ata nuk janë parë kurrë si një element shtetformues, por një element plotësues sa për të zbukuruar sfondin e partive maqedonase. Për këtë padyshim ka ndikuar edhe fragmentarizimi politik i vetë shqiptarëve atje. Tani që Shqiptarët janë bashkuar për të vendosur se kush do ta qeverisë Maqedoninë; pra që kanë marrë realisht në dorë fatet e tyre, ata janë parë si një kërcënim për stabilitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë. Pra sipas Ivanov, qeverisja në Maqedoni duhet vendosur vetëm nga Maqedonasit dhe më pas janë këta që marrin si garniturë në qeveritë e tyre shqiptarët. Por nëse shqiptarët luajnë realisht balancën e qeverisë kjo nuk pranohet. Në të njëjtën frymë ka qenë edhe deklarata e Gruevskit që preferoi Zaevin në vend të shqiptarëve. Propozimi që t’i bashkohej me Zaev vetëm që shqiptarët të mos kishin peshë në krijimin e qeverisë vijon në të njëjtën llogjikë. Ai beson se Maqedonia është një republikë e Maqedonasve dhe vendos tezat nacionaliste mbi dallimet ideologjike.
Për fat të keq, nuk ka dhe nuk ka për të pasur një Qeveri maqedonase pa shqiptarët sepse vetëm atëherë, pra vetëm nëse partitë maqedonase do tentojnë t’i nxjerrin shqiptarët jashtë ekzekutivit, do të kërcënohet realisht sovraniteti i Maqedonisë. Vetëm në ato rrethana, Maqedonia nuk do të ekzistojë dhe nuk ka pse të ekzistojë. Maqedonia ose do të ekzistojë si një shtet multietnik, ose nuk do të ekzistojë fare. Ajo nuk mund të ekzistojë kurrë si një shtet i maqedonasve, ku shqiptarët janë si shoqëruesit e nuses që i ndjekin ata nga pas!