Në një kohë që popullsia e Shqipërisë po shkon drejt plakjes dhe norma e fertilitetit po ulet vit pas viti, prej vitit 2010 mbi 137 mijë të mitur (nën 19 vjeç) janë larguar nga vendi në një nga shtetet e BE-së.
Prej 2010-s janë larguar mesatarisht nga vendi 15,000 të mitur drejt Bashkimit Europian çdo vit, sipas të dhënave të Eurostat për lejet e qëndrimit për herë të parë të dhëna nga vendet e Bashkimit Europian, të ndara sipas grupmoshës, të përpunuara nga ‘Monitor’.
Emigracioni është një nga faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë së një vendi dhe të rënies së fertilitetit, duke qenë se më të rinjtë janë ata që zgjedhin kryesisht të shpërngulen në një shtet tjetër, ndërsa kanë si motivacion një jetë më të mirë për fëmijët.
Viti 2018 shënoi prapë rritje në numrin e të miturve që ishin pajisur me leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Gjatë viti që lamë pas u pajisjen me leje qëndrimi për herë të parë rreth 17,279 të mitur nën 19 vjeç, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Shifrat janë më të larta se kaq, duke marrë parasysh që Eurostat nuk ka të publikuara të dhënat për lejet e para të qëndrimit të lëshuara nga Gjermania. Vitet e fundit, Gjermania ka qenë destinacion kryesor i valës së re të emigracionit. Gjithashtu, nëse do të përllogaritet edhe numri i të miturve azilantë, numri i fëmijëve që janë larguar nga Shqipëria do të ishte sigurisht akoma edhe më i lartë.
Gjatë periudhës 2010-2018, rekordi i lejeve të lëshuara për të miturit është arritur gjatë 2016-s me mbi 21 mijë leje të dhëna. Ndërsa më i ulëti gjatë 2013-s me rreth 9500 leje të dhëna. Pjesa dërrmuese e këtyre lejeve janë dhënë në vendet fqinje si Itali dhe Greqia, por ndërkohë vitet e fundit vihet re që është rritur edhe numri i lejeve të dhëna nga vende si Belgjika apo Suedia.
Sigurisht arsyeja kryesore, për gati 80% të lejeve të dhëna për të miturit gjatë 2018-s, është familjare, pra një nga prindërit që jeton dhe punon në një nga vendet e BE-së, merr edhe fëmijët nën moshën 18 vjeç. Rreth 18% apo 3129 leje janë dhënë për kategorinë arsye të tjera.
Lejet e dhëna për arsye edukimi, pra të mitur të moshës nën 18 vjeç që kanë marrë leje për të studiuar kanë një peshë të vogël, më pak se 2% ndaj totalit. Po ashtu edhe lejet e dhëna për arsye punësimi, ku vetëm gjatë 2018-s u dhanë 200 të tilla.
Fëmijët emigrojnë, Shqipëria plaket
Plakja e popullsisë së Shqipërisë po ndodh me një ritëm të shpejtë. Projeksionet e OKB-së, të cilat marrin në konsideratë të gjitha ndryshimet demografike, parashikojnë që deri në 2100 në Shqipëri të jetojnë 1.7 milionë banorë dhe mosha mesatare të jetë 53.2 vjeç, duke qenë kështu popullsia më e plakur e rajonit.
Emigracioni i popullsisë në moshë të re është një faktor që po nxit më tej plakjen e popullsisë./Monitor