Pandeli Majko ka vendosur të sqarojë më në fund çfarë kishte dashur të thoshte në Asamblenë e Partisë Socialiste. Pas tri ditësh lajmesh për video erotike me protagonistë socialistë, ish-kryeministri thotë se shqetësimi i tij nuk ka qenë seksi, por lidhjet e papërshtatshme të politikanëve me krimin e organizuar.
Në një reagim në Facebook, të titulluar “Ndjesë e detyruar”, Majko ironizon mediat që, sipas tij, e kanë kthyer paralajmërimin për krimin në një histori erotike.
“Në fakt, në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar! Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika”, shkruan Majko.
Ai sqaron se kishte përmendur vetëm një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK, duke mohuar të ketë folur për video seksi.
Majko nuk kursen as Blendi Fevziun, për të cilin shkruan me humor: “Fevziut i pëlqeu më shumë varianti me seks!”
Por pjesa më interesante e reagimit është ajo që mbetet përtej sqarimit. Majko konfirmon se në Asamblenë Socialiste ka kërkuar largimin nga politika të personave që kanë kontakte diskredituese me krimin e organizuar.
Pa përmendur emra, ai lë të hapur pyetjen se cilëve kolegë u drejtohej paralajmërimi.
“Ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda videot erotike sesa kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar!!! Ndjesë për zhgënjimin!”, përfundon Majko.
Tani që u sqarua se nuk bëhej fjalë për seks, mbetet vetëm një hollësi: kush janë socialistët që Majko kërkoi të largohen nga politika për lidhjet me krimin?









