Nga Sally Weale “The Guardian”
Është mesditë, dhe ndodhem në shkollën Lintulakson në Espo, pranë Helsinkit. Fëmijët e vegjël, janë duke konsumuar një vakt të lehtë, para se të nisin aktivitetet e tyre të pas shkollës. Në katin e dytë, një grup 12-vjeçarësh ndodhen në klasën e artizanateve, duke prerë modele, dhe qepur rroba në makinë.
Jashtë, fëmijë të tjerë luajnë në një hapësirë të madhe, të pajisur me fusha futbolli dhe basketbolli. “Hej, Peteri”- i thirri rastësisht një djalë drejtorit të shkollës Peter Kusimaki.
“A mund ta fillojmë shkollën vitin tjetër pak më vonë, të themi në orën 10 të mëngjesit?”.
Kusimaki nis të bëjë shaka me ta.
Sistemin arsimor finlandez, e ka zili mbarë bota. Së bashku me telefonat Nokia apo xhamat Itala, ai është bërë një nga eksportet më të famshme të vendit, dhe është e lehtë të kuptohet arsyeja. Studentët finlandezë, shënojnë vazhdimisht rezultatet me të larta në renditjen e Pisas. Teksa Kusimaki më shëtit nëpër ambjentet e shkollës, ai flet për një lloj utopie arsimore, një vend ku mësuesit janë shumë të trajnuar, të vlerësuar dhe të besuar, dhe ku mirëqenia e fëmijëve është parësore.
Këtu nuk ka inspektime klasike nga drejtoria arsimore, nuk ka klasifikim sipas aftësive, nuk ka provime kombëtare deri në moshën 18-vjeçare, nuk ka uniforma shkollore, as tabela nderi për nxënësit më të mirë, dhe as shkolla private ku prindërit paguajnë tarifa të larta për fëmijët e tyre.
Çdo vit në Helsinki mbërrijnë qindra delegacione mësuesish dhe politikëbërësish nga e gjithë bota, për ta parë me sytë e tyrë këtë lloj parajse. Këto vizita janë bërë kaq shumë popullore, sa për to ka rregulla të rrepta, teksa paguhen edhe tarifa të caktuara. Kështu një prezantim kushton 682 euro ora, ndërsa një vizitë në një shkollë 1.240 euro.
Gjatë 2 muajve të fundit ka pasur grupe vizitorësh nga Izraeli, Brazili, Kina dhe Koreja. Në javët e ardhshme, do të ketë vizita nga Zelanda e Re dhe Lituania. Ndërkohë, ndikimi i Finlandës, po përhapet anembanë globit. Muajin e kaluar në qytetin Ho Shi Min të Vietnamit, u hap një shkollë bazuar në kurrikulën dhe qasjen pedagogjike finlandeze, dhe me një staf finlandez.
Kusimaki më thotë se shkollat e Finlandës janë të mirë-financuara, dhe të ndërtuara rreth parimit të barazisë së shanseve për të gjithë nxënësit. Ai habitet kur përpiqem t’i shpjegoj, se disa shkolla shtetërore në Angli janë aq të fiksuara pas parasë, sa që po u kërkojnë prindërve donacione shtesë.
“Siç mund ta dini, gjithçka në Finlandë është falas, edhe universiteti”. Në vend, ekziston vetëm një shkollë me pagesë, Shkolla Ndërkombëtare e Helsinkit, e cila përgatit kryesisht punonjësit ndërkombëtarë të kompanisë Nokia dhe industrive të tjera. Të gjitha nxënësit në klasë dëgjohen dhe respektohen, dreka e shkollës është falas, ndëshkimet janë të rralla dhe përjashtimet gati të padëgjuara.
Vetë Kusimaki e ka dhënë ndëshkimin e tij të fundit për një nxënës 15 vjet më parë, dhe tmerrohet nga ideja e përjashtimit të një fëmije nga shkolla. “Ne jemi përgjegjës për këta fëmijë dhe jetën e tyre. Ne s’mund të heqim dorë nga kjo përgjegjësi”- thotë Kusimaki. Por gjërat po ndryshojnë ngadalë.
Shkollat po bëhen më të larmishme. Njezët për qind e nxënësve në shkollën Lintulakson, janë me prejardhje emgrantësh. Diku tjetër, janë 75 për qind. Është futur një vit i detyrueshëm parashkollor për 6-vjeçarët, që të jenë më të gatshëm për shkollën. Ndërsa mosha minimale e largimit nga shkolla është rritur në 18-vjeç.
Në vitin 2013, arsimtari i famshëm finlandez, Pasi Sahlberg zhvilloi një vizitë në Kolegjin Eton, më i famshmi në Britani. Dikur një mësues i matematikës dhe shkencës në Helsinki, Sahlberg udhëton tashmë nëpër botë, për të folur mbi mrekullitë e arsimit finlandez, dhe dhënë këshilla për reformën në arsim.
“Ishte si të udhëtoje 200 vjet pas në kohë. Teksa ecja në korridoret e Eton dhe shihja studentët, po mendoja që edhe nëse do të kisha një shans për të regjistruar fëmijët e mi atje, do të thoja:Jo, faleminderit”- shprehet Sahlberg. Me historinë e tij të famshme, uniformat e çuditshme dhe tarifat 40 mijë paund në vit, Eton, që ka edukuar kryeministrin aktual britanik dhe shumë para tij – është 1 milionë milje larg nga egalitarizmi modern i shkollave të Finlandës.
“Shpesh njerëzit më pyesin, se cila është gjëja më e rëndësishme që mësova në shkollë. Unë them se duhet të kuptojmë se në këtë botë ka njerëz të ndryshëm. Dhe pavarësisht se nga vijmë, ne mund të jemi në të njëjtën shkollë, dhe të mësojmë në të njëjtën klasë. Djemtë e Eton, nuk do ta mësojnë kurrë këtë në shkollën e tyre”- thotë ai.
Sahlberg është skeptik në lidhje me përpjekjen e vendeve të tjera, për të kopjuar thjesht
modelin finlandez. “Ka kaq shumë mite, mbi atë që është dhe nuk është sistemi finlandez. Ideja e kopjimit, ka shkaktuar shumë dëme. Modeli i shkollave në Finlandë, bazohet në historinë dhe kulturën e veçantë të këtij vendi.
Popullsia është e vogël (5.5 milionë), dhe taksat janë të larta. Nuk mund të shkosh në Finlandë, dhe të zgjedhësh gjërat që duket se janë interesante dhe të thuash:”Duam të veprojmë si Finlanda. Gjërat janë më të ndërlikuara sesa kaq”- nënvizon ai./cna