Kryeministri Edi Rama shpalli objektivin këtë të martë për programin e rindërtimit pas tërmetit, duke deklaruar se synimi është ndërtimi i një lagjeje të re në Durrës.
Duke folur në mbledhjen e 6 të jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se nuk do të ketë banesa sociale si ato që jemi mësuar të shohim deri më tani.
“Po diskutojmë për disa skenarë. Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja. Objektivi im është të arrijmë në një program rindërtimi që të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani me banesa që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë gjithë jetën që janë në shtëpitë e të varfërve. Por të ndërtojmë në Durrës një lagje koplet të re që të jetë lagjia më e bukur e Durrësit pas ’90 padiskutim.
Një lagje e re nga e para, me infrastrukturë, me kanalizime, me ujësjellës, me kopësht, çerdhe, shkollë, mjedise publike dhe banimi. Në Tiranë kemi diskutim një skenar për të ndërtuar një lagje komplet të re të madhe një skenar për të ndërtuar dy më të vogla. Do ta shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatit Ministrja e Kulturës me arkitektë dhe urbanistë të huaj që kanë shprehur gatishmërinë vullnetarisht për të na dhënë konsulencë. Po kështu në zonën e Kurbinit të gjithë pallatet që kemi vizituar dje do të shemben dhe do të ndërtojmë një lagje të vogël komplet të re. Për momentin po bëjmë kalkulimet e nevojshme. Ambicia ime është të kemi një objektiv afatmesëm prej 10000 apartamentësh në terësi dhe një objektiv afatshkurtër prej 5 mijë apartamentesh sepse kështu mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë drejtëpëdrejtë të prekur, por edhe ata që janë me probleme sociale.
Por edhe për nevojë që të mos bëjmë gabimet e vendeve të tjera në periferitë e kryeqyteteve europiane ku ndërtimi i lagjeve të reja krijoi vatra njerëzish të margjinalizuar nga pjesa tjetër dhe tensione të vazhdueshme. Kujtoni Francën sa herë është dashur të përballet me kuazirevolucione nga lagjet e ndërtuara për qëllime sociale dhe rezultati i mirënjohur i analizave dhe studimeve ishte shumë i thjeshtë dhe konsensual këto lagje duhet të jenë mikse, të përzihen shtresat e shoqërisë.Jo lagje ku strehohen të varfër që ngelin me atë damkë. Kjo është sot që flasim puna që po bëjmë në tryezën përkatëse”, – u shpreh Rama.