Adriatik Lapaj ka paralajmëruar sot përshkallëzim të situatës në konflikt social, nëse qeveria nuk adreson kërkesat e qytetarëve në shesh.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Lapaj deklaroi se, nuk mund të ketë një zgjidhje të situatës për sa kohë kryeministri Rama vijon qeverisë dhe të organizojë zgjedhjet duke përdorur burimet shtetërore.
“Kjo histori, po vazhdoi ta drejtojë Edi Rama pushtetin dhe të vazhdojë të organizojë zgjedhje duke përdorur të gjitha resurset e shtetit, nuk ka zgjidhje. Ndaj ose do të marrë zgjidhje politike, ose, siç u kam thënë para një viti, kur dola para Kryeministrisë dhe thoshin: ‘Nuk çohen shqiptarët!’, u thashë: ‘Do të çohen’. Sot po ju them, nëse nuk adresohen në mënyrë të shëndetshme, pa hile, dhe më në fund të bëhet paqe sociale, garë dhe më i miri të fitojë, ju garantoj që këta do ta çojnë vendin keq e më keq, në konflikt social, sepse nuk ka rrugëdalje”, u shpreh Lapaj.
Ai përmendi disa nga problemet kryesore si, pensionet dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria., duke i cilësuar si formë dhune ndaj tyre.
“Këta thonë tallemi me ne, të shtypim, të vjedhim, të lëmë pa ilaçe, dhe pastaj ti kur çohesh të themi: ‘Ah, jo dhunë!’. Po ti po më dhunon se po më vret fëmijën në spital pa ilaçe, po ti po më dhunon sepse po më lë pa pension, po më dhunon sepse po më largon fëmijën në 2026-ën nga atdheu”, deklaroi Lapaj.









