[totalpoll id=”73404″]
ArgjiroLajm.net publikon sot një sondazh, në të cilin mund të votojnë të gjithë lexuesit tanë për të zgjedhur Personazhin e Vitit 2019 në Gjirokastër. Natyrisht që kjo është një përpjekje modeste, e cila zë fill në një traditë të krijuar prej vitesh nga media të tjera kombëtare në Shqipëri dhe sigurisht mediat në mbarë botën.
Besojmë se në këtë mënyrë mund t’u japim edhe njëherë ndoshta pak më shumë vëmendje atyre njerëzve që kanë ndikuar në qytet, për mirë e për keq, kanë dhënë për të apo kanë përfituar prej tij ose që kanë spikatur.
Ne kemi menduar një listë prej 10 emrash, për të cilët do duhet që deri më datë 31 Dhjetor, ora 20:00 ju të votoni për të zgjedhur Personazhin e Vitit në Gjirokastër. Më poshtë lista me emra dhe një shpjegim i shkurtër për çfarë ata përfaqësojnë, si dhe përse janë përzgjedhur të jenë në këtë listë.
Maksi Çani
Punon prej 40 vitesh në shërbimin zjarrfikës të Gjirokastrës. Ishte pjesë e një grupi zjarrfikësish që shkoi edhe në operacionin e kërkim-shpëtimit në rrënojat e tërmetit në Durrës. Kurrë më parë sesa këtë herë ne shqiptarët nuk i kemi patur sytë nga njerëzit që punojnë tek emergjencat civile. Ato ditë të vështira të tërmetit, ata ishin ‘heronjtë’ tanë të gjallë. Bënë të pamundurën të shpëtonin sa më shumë jetë të zëna pabesisht nën gërmadha. Njerëz si Maksi Çani dhe ata që punojnë tek emergjencat civile, meritojnë në çdo rast një vëmendje më të madhe nga e gjithë shoqëria.
Drini Gjoni
Një prej mjeshtrave që punoi për muaj me radhë në restaurimin e kalldrëmeve në Pazarin e Gjirokastrës. Njësoj si të tjerët që punuan në atë kantier, edhe ai u përballë gjatë kësaj kohe shpesh me zemërimin, dyshimet, lumin e akuzave dhe shikimet e vëngërta të njerëzve që nuk besonin se kalldrëmi do të ribëhej. Drini Gjoni bashkë me të tjerë ia dolën mjeshtërisht t’i zhgënjenin të gjithë. Sot kalldrëmi në Pazarin e Gjirokastrës është shumë më mirë sesa më parë. Gjirokastra ka dhe do të ketë nevojë sa të jetë jeta për ustallarë të tillë.
Alket Islami
Njihet ndryshe edhe si Alket fluturaku. Kudo ku ka një organizim që lidhet me fluturimet sportive e turistike, me siguri që është i përfshirë edhe ai. Gjiro Air Shoë 2019 i organizuar prej tij dhe ekipit të Federatës Shqiptare të Aeronautikës riktheu vëmendjen tek aeroporti i Gjirokastrës, i cili do duhet të vihet në funksion të turizmit dhe fluturimeve sportive. Le të shpresojmë se eventi i fillim-tetorit do të jetë pikënisja e shumë organizimeve të tjera në këtë aeroport. Alket Islami me siguri që do jetë sërish aty.
Gole Tavo
Ish-presidenti i klubit nuk është në këtë listë për suksesin që arriti duke çuar për herë të parë Luftëtarin në kupat e Europës, por për gropën e madhe financiare ku e zhyti klubin. Krijoi një mal me borxhe tek të tretët dhe u largua nga drejtimi i klubit një javë përpara se kryebashkiakja e LSI-së të linte detyren. Luftëtari nuk po del dot as sot nga kriza e madhe në të cilën e zhyti Gole Tavo. Me shumë gjasa klubi këtë sezon zbret në kategorinë e parë edhe për meritë të ish-presidentit.
Florant Bushe
Është një prej kirurgëve të rinj që ka ardhur të shërbejë në spitalin rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër. Për ne mediat, kazanin do të thoshte Edi Rama, më shumë bëjnë lajm largimet e mjekëve tanë drejt Gjermanisë sesa ata që kanë vendosur të punojnë këtu. Koha që të kthejmë sytë edhe ndaj atyre që zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri. Floranti është një prej tyre dhe doemos që meriton vëmendje e përkrahje nga të gjithë. Të shpresojmë se ai nuk do fillojë kursin e gjermanishtes për t’u larguar një ditë prej Shqipërisë, edhe pse shteti ynë i vjedhur sistematikisht nga të gjithë, vazhdon t’u japë rroga qesharake mjekëve.
Figalia Rogo
Është një prej atyre mësueseve që ka pak kohë që ka dalë në pension, edhe pse çdo prind do të donte që ajo të ishte ende në shkollë për të mësuar fëmijët. Sa e sa breza nxënësish ka nxjerrë në shkollën “Koto Hoxhi” për dekada me radhë. Ne si shoqëri u kemi një borxh të madh brezave të tërë të mësuesve që sot me pensionet e tyre nuk mbyllin dot as muajin. Këtu me siguri hyn edhe Figalia. Sidoqoftë pavarësisht trajtimit financiar ajo dhe gjithë mësuesit e tjerë kanë mirënjohjen tonë të madhe për aq shumë sa kanë dhënë e kanë bërë në arsim.
Kreshnik Babameto
Një arkitekt cool në një qytet, që siç thotë Ismail Kadareja, i ka thyer të gjithë ligjet e arkitekturës. Por ai nuk është në këtë listë si arkitekt, për aq kohë sa nuk lënë ende gjurmë domethënëse le të themi, me ndonjë projekt të madh. Kreshniku ka në menaxhim dy lokale që frekuentohen më së shumti nga të rinjtë në Gjirokastër. Në një qytet që po zbrazet dita-ditës nga të rinjtë, nuk është dhe aq e lehtë të tërheqësh edhe ata pak që kanë mbetur. Kreshniku duket se po ia del mbanë me ‘Rumors Coffee & Snacks’ dhe “Babameto 2’ në zonën muzeale. Të rinj të tillë që vazhdojnë të jetojnë në Gjirokastër dhe të kontribuojnë për këtë qytet, sigurisht që duhen inkurajuar më tej në sipërmarrjet e tyre. Kreshnik Babameto mund të jetë një rast frymëzimi për shumë të tjerë, që sapo kanë përfunduar studimet në Tiranë dhe janë në dilemë, të kthehen në Gjirokastër apo të qëndrojnë në kryeqytet; të marrin rrugët e emigrimit apo të shohin të ardhmen tek perspektiva turistike e Gjirokastrës.
Dëfrim Gjoça
Teksa je në Pazarin e Gjirokastrës, sheh gjithmonë një burrë që mban veshur përparësen dhe kapelen e bardhë të shefit të kuzhinës. Është mjeshtri i kulinarisë Dërfim Gjoça. Ka një restorant modest, por shumë të frekuentuar sidomos nga turistët sepse ai ka zgjedhur të gatuajë vetëm recetat tradicionale. Pikërisht këtu qëndron suksesi i tij. Gjoça shërben edhe si model për shumë restorante të tjera në qytet, që duhet t’u rikthehen më shumë gatimeve tradicionale. Harrojeni se një turist që vjen në Gjirokastër preferon të hajë pica apo spageti, të cilat ne kurrë s’i bëjmë dot si italianët. Por ne mund të gatuajmë shumë më mirë qifqi, shapkat, trahana, oshaf etj.
Brenna Moran
Teksa ndodhesh pranë Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, aty pranë tërheq vëmendjen një e re amerikane sharmante dhe gjithmonë e buzëqeshur. Sweet Cellar –Qilari i Ëmbël është një pastiçeri ku gjen ëmbëlsira të përgatitura në mënyrë artizanale nga Brenna. Vajza amerikane jeton dhe punon në Gjirokastër, qytetin prej nga ku largohen vendasit, por vendosin të qëndrojnë të huajt. Për shkak të një komplikacioni të vogël me shëndetin, Brenna Moran është duke u rikuperuar aktualisht dhe “Qilari i saj i Ëmbël’ do të rihapet së afërmi. Ne i urojmë shërim të shpejtë.
Arjan Shehu
Një nga emrat më të spikatur të isopolifonisë labe, që për më shumë se gjysmë shekulli i ka sjellë koloritin dhe ngjyrat e pasura të këngëve tradicionale gjirokastrite në skenat artistike të folkut brenda dhe jashtë vendit. Bashkë me grupin e tij, ku ai ka rolin e marrësit, ka përfaqësuar Shqipërinë edhe në skenat ndërkombëtare. Gjatë këtij viti Arjan Shehu me grupin nisën të këndonin në lokalet dhe restorantet e Pazarit të Gjirokastrës, duke tërhequr vëmendjen e turistëve, si dhe duke promovuar më tej isopolifoninë. Ai mbetet sot një nga zërat më të shquar të isopolifonisë labe.
© ArgjiroLajm.net