Ilir Mborja
Bashkia e Dropullit ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” shkrimtarin Nasho Jorgaqi, me motivacionin “Për kontributin e tij në studimin, stimulimin dhe promovimin e letërsisë dhe kulturës së minoritetit etnik grek në Shqipëri”. Nderimi për shkrimtarin erdhi pas propozimit të Departamentit të Gjuhës dhe Qytetërimit Grek në Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës. Gazetari Fitim Çaushi shkruan se: “…Bashkia e Dropullit organizoi një mbrëmje kulturore me shumë emocione dhe ngrohtësi njerëzore”. Kryetari i Bashkisë Ahile Deçka, në fjalën e tij theksoi se: “Me emocione të veçanta, po i përcjellim nderimet e merituara qytetarit tonë të ri të nderit, një personaliteti të shquar, në fushën e letrave, prof. Nasho Jorgaqit. Me këtë vendim shprehim edhe vullnetin e të gjithë minoritarëve grekë në Shqipëri, sepse profesori i shquar, nga lartësia që i siguron kontributi i pakrahasueshëm në letrat shqiptare në shek. XX- XXI, ka treguar një kujdes të pashoq edhe për vlerat e kulturës greke. Veprimtaria jonë e sotme përbën një mesazh të rëndësishëm të frymës evropiane të kohës, atë të bashkëpunimit, të mirëkuptimit, të miqësisë së ngushtë dhe të integrimit. Personaliteti i prof. Nasho Jorgaqit me thjeshtësinë e njohur, me sinqeritetin, dashurinë për njeriun, përbëjnë një nderim dhe vlerë të padiskutueshme për bashkinë tonë dhe për të gjithë ne.”
Për të shoqëruar veprimtarinë u shfaqën sekuenca filmike nga jeta dhe veprimtaria e prof. Jorgaqit, përmes të cilave të pranishmit u njohën me krijimtarinë letrare në vite. Pas saj, pedagogja e katedrës së gjuhës Greke, Kostando Ksera, theksoi: “Prof. Jorgaqi, si askush tjetër, dhe jashtë çdo lloj paragjykimi ballkanik e provincial, ka treguar dhe vazhdon të tregojë një kujdes, respekt dhe nderim të veçantë për letërsinë dhe kulturën e minoritetit etnik grek në Shqipëri në përgjithësi dhe për krijuesit minoritarë të këtyre vlerave në veçanti. Ai ka meritën e madhe se këto vlera i lidh drejtpërdrejtë me identitetin etnik të krijuesve të tyre dhe vetëm si të tilla i konsideron edhe vlerë për letrat shqipe. Me autoritetin e tij të padiskutueshëm letrar e kulturor në Shqipëri, jo vetëm ka ndikuar, por ka kontribuar që Universiteti i Tiranës dhe Βiblioteka Κombëtare e Shqipërisë të ketë punime monografike të plota për letërsinë dhe kulturën e minoritetit etnik grek, parë në vazhdimësine e tyre diakronike…”.
Këtë veprimtari e nderoi edhe përfaqësuesi i konsullatës greke në Gjirokastër Kostandinos Mihelis. Pasi përshëndeti kryetarin e bashkisë dhe përgjegjësin e departamentit të katedrës së gjuhës greke në Universitetin Eqrem Çabej, prof. Panajot Barkën për inisiativën që morën, ai e vlerësoi Nasho Jorgaqin si një figurë poliedrike e shumë e ndritur dhe me shumë diapazon kulturor. “Shpallja “Qytetar Nderi” e prof. Nashos, – theksoi ai – ka një rëndësi për mesazhet që trasmeton. Këto veprimtari do t’i shërbejnë brezit të ri në vazhdimësinë e një rruge sa më miqësore dhe bashkëpunimi mes dy popujve tanë. Greqia i vlerëson figura të tilla intelektuale, sepse letërsia dhe kultura greke përbëjnë dy instrumente të rëndësishme që ne mund t’i përdorim për interesin e përbashkët”.
Vetë Nasho Jorgaqi, duke marrë këtë titull, u shpreh se ndjehet i nderuar për këtë vlerësim, për shkak të lidhjes shpirtërore që ka me komunitetin grek që jeton në Shqipëri. Titullin e akorduar për të, shkrimtari, poeti, skenaristi, përkthyesi, hulumtuesi dhe studiuesi ynë i njohur e quajti një nderim të rëndësishëm në karierën e tij pasi e merr nga një komunitet për të cilin ka patur ndjesinë se i përkiste…”
Shkrimtari Nasho Jorgaqi, është nderuar më parë me shumë tituj, mes të cilave mund të përmendim “Mjeshtër i Madh i Punës”, “Qytetar Nderi” i Fierit, apo “Doctor Honoris Causa” i Universitetit Fan Noli në Korçë, por titulli “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Dropullit, mendoj se ka një vlerë disi më të veçantë.
E kam fjalën për situatën aktuale që po kalojnë dy popujt tanë…Siç dihet, bashkëjetesa mijëravjeçare mes shqiptarëve dhe grekëve ka bërë që fqinjët më të vjetër të Ballkanit, të njohin në shumicën e kohës një histori vuajtjesh e peripecish të përbashkëta. Veç kësaj, në shekuj banorët e këtyre trevave kanë lëvizur e janë mirëpritur nga shoshoqi, kanë jetuar dhe kanë mbijetuar përballë të të njëjtëve armiq, kanë luftuar dhe janë martirizuar sëtoku për lirinë e përbashkët. Por nuk mund të mos pranojmë se kjo histori e gjatë bashkëjetese mes dy popujve tanë ka edhe plot momente të hidhura mosmirëkuptimi… Nuk janë të pakta rastet kur furtunat e interesave të ndryshme të fuqive të mëdha që janë përplasur mbi këto vise të Ballkanit, i kanë gjetur të papërgatitur për t’u marrë vesh mes njëri tjetrit shqiptarë e grekë. Politika, shpesh e maskuar nën petkun fetar, jo rrallëherë i ka përgjakur dy vëllezërit binjakë me fe të ndryshme…
Edhe sot, si rezultat i historisë së korrupsionit të lartë që ka mbërthyer zyrtarë të të dy vendeve, ekonomia e varfër e papunësia e lartë, janë armiku i heshtur që nxjerr kokë, herë nga ndonjë gërmadhë e paligjshme diku në Himarë, e herë në ndonjë stadium futbolli në Greqi. Sidomos në prag zgjedhjesh elektorale, pretendentë pushtetesh, shfaqen si “atdhetarë të përvuajtur” e janë gati t’i venë flakën kësaj bashkëjetese midis etniteteve të ndryshme. Betejat elektorale nuk kursejnë së shfrytëzuari krizën e sistemit ekonomik dhe me dogma nacionaliste tentojnë të shkallmojnë konceptin njerëzor mes fqinjëve…Në situata të tilla, kultura mbetet e vetmja mburojë e miqësisë mes nesh…Për këtë mendoj se është e udhës të mos harrojmë për asnjë çast Tuqididin dhe mësimin e madh të tij që përbën thelbin e gjithë veprës së tij. Ai, duke folur për rëndësinë e kulturës, na kujton se: “…Për çdo vlerë kulturore, trashëgimtarë të pronësisë së saj janë të gjithë ata që posedojnë një respekt për të.”
Në këtë kuptim, sipas babait të historiografisë, bashkë i kemi, shqiptarë e grekë të kulturuar, edhe lavdinë e bukuritë e Himarës, edhe Akropolin…Bashkatdhetarë të njerëzve të kulturuar janë edhe sportistët, edhe shkrimtarët e shquar si Homeri, Kavafi, Kazanzaqi, apo Ricosi…Po sipas Tuqididit, bashkë i kemi edhe Budin e Bogdanin, edhe Naimin e Kristoforidhin, edhe Kadarenë e Agollin. Bashkë e kemi, shqiptarë e grekë, edhe Nasho Jorgaqin. Duke i akorduar titullin “Qytetar Nderi” profesor Nasho Jorgaqit, Bashkia e Dropullit për herë të parë vlerësoi një personalitet të kulturës jashtë komunitetit të saj. Në këtë mënyrë, duke ndërmarrë këtë hap qytetërues, nismëtarët e këtij akti, jo vetëm janë paraqitur si nxënës shembullorë të Tuqididit, por i kanë bërë një zgjerim cilësor kufinjve kulturorë të trevave ku banojnë dropullitët e urtë e të mençur… Bashkë me krijimtarinë e begatë dhe kontributet e tij të çmuara në fushën e hulumtimeve, studimeve dhe mendimit kritik shqiptar, duke e nderuar Nasho Jorgaqin me qytetarinë e tyre, dropullitët kanë “përvetësuar” njëkohësisht edhe një poet të rrallë të lirikave trevargëshe, të përkthyera tashmë në gjuhën e mrekullueshme greke. Librat e tij me hajku “Duke rrokur vetëtimat” apo “3X17X3” (ky i fundit me bashkautorësi të Milianov Kallupit e të poetit grek Kristo Tumanidhi) nderojnë shqiptarë e grekë bashkë… Gjithashtu, vetë Nasho Jorgaqi, duke qenë nolisti më i shquar, ka treguar konkretisht se, bashkë, shqiptarë e grekë, e kemi edhe Fan Nolin e madh.
Këtu dua të ndalem pak, se fatkeqësisht, më rezulton se nuk janë të paktë ata, që nga mungesa e informacionit dhe e kulturës, e kanë të vështirë për të pranuar atdhetarizmin e gjitonit dhe, si rrjedhim i kësaj, kanë një perceptim të pasaktë për këtë lis gjigand të kulturës ballkanike… Dhe jo vetëm për atë. Shpesh harrohet se, pjesa më e madhe e rilindasve tanë të shekullit të kaluar, u ushqyen me ndjenjën e përparimit dhe u ndriçuan me dituri në bangat e gjimnazit “Zosimea” të Janinës… Prof. Nasho Jorgaqi, duke prekur konkretisht temën e marrëdhënieve shqiptaro greke dhe rolin e personaliteteve të kulturës në forcimin e miqësisë mes popujve, histori që shpesh, për shkaqet që përmendëm më sipër, nuk perceptohet me qartësinë e duhur, e fillon që me Naim Frashërin, dhe ja se ç’thotë ai:
Një faqe pothuajse e panjohur për opinionin e gjerë është miqësia mes disa personaliteteve të kulturës shqiptare dhe të asaj greke në të kaluarën. Këto kanë qenë lidhje me rrënjë në fqinjësinë e përjetshme dhe në aspiratat e përbashkëta liridashëse të popujve tanë. Dhe është për nderin e përbashkët, që komunikime të tilla nuk kanë dashur t’ia dinë për klimat e ftohta politike dhe psikozat shoviniste. Në rastet më të mira, përfaqësues të kulturës së dy palëve i kanë zgjatur njëri-tjetrit dorën e vëllazërisë, të besimit e të mirëkuptimit të vërtetë. Një nga shembujt e parë na e jep Naimi: është miqësia e tij me eruditin grek I. Karalidhisin, të cilit poeti ynë i kushtoi dhe përmbledhjen me vjersha, shkruar greqisht, “Dashuria”. Po kështu, në analet e lidhjeve kulturore shqiptaro-greke ka mbetur i paharruar takimi në vitet ’30-të i patriarkëve të poezisë së kohës, i Gjergj Fishtës dhe Kostas Pallamait. Apo miqësia disa vjeçare e K. Kallamarit me poetin e shquar Ali Asllani kur ishte ambasador i shtetit shqiptar në Athinë.
Mund të vijonim kësisoj edhe me shembuj të tjerë, por në këtë rast do të ndaleshim te Fan Noli. Duke u marrë me hulumtimin e epistolarit të Nolit në Arkivin Qendror të Shtetit, ndeshëm në një pjesë të letërkëmbimit që ai ka mbajtur me miqtë e tij grekë. Mund të themi se është nga kapitujt më të bukur e më interesant të epistolarit nolian. Njihet, bie fjala, letra-rrëfim e tij dërguar, në 1910 nga Bostoni, një shoku grek të gjimnazit të Adrianopojës. Po kësaj here gjetëm një tufë letrash të një miku grek drejtuar Nolit. Janë shtatë letra të Jani Apostolit, çuar nga Franca gjatë muajve janar-nëntor 1922, vëllait Fani. Apostoli nuk është emër i panjohur në jetën e Nolit, përkundrazi i takon të jetë një nga dy shokët më të ngushtë të kohës kur punoi në teatrot shëtitëse greke (1900-1909). Në autobiografi ai e përshkruan atë me këto fjalë: Apostoli nga Athina ishte një njeri me kulturë të gjerë, me të cilin Fan Noli kalonte gjithë kohën e lirë duke biseduar për artin dramatik dhe letërsinë botërore. Ai ishte i shkurtër e i thatë, shëndetlig, por me tipare të bukura të fytyrës. Me gjithë zgjuarsinë dhe talentin, atij i jepnin role të parëndësishme… Prandaj, Apostoli e la teatrin dhe u bë gazetar i dorës së parë. Ashtu si shoku i tij, dhe Noli do ta braktisë teatrin dhe nga kjo kohë jeta e tyre do të marrë rrugë të ndryshme. Ata do të rigjejnë, me sa duket, njëri-tjetrin pas afro njëzetë vjetësh në rrethana krejt të tjera.
Noli është bërë diplomat i shquar i vendit të tij, Apostoli gazetar me emër i shtypit grek në Francë. Për fat të keq, kemi në dorë vetëm letrat e Apostolit dhe, megjithëse mungojnë ato të Nolit, nuk është e vështirë të kuptosh e të ndjesh miqësinë e tyre të fortë. Një miqësi vëllazërore, tepër e sinqertë dhe e hapur, ku vendin kryesor e zënë komunikimi shpirtëror dhe dialogu intelektual. Flet zemra e mikut të vjetër, mbushur plot kujtime, flet dhe mendja e mençur dhe e kthjellët e njeriut të kohës. Në tërësinë e tyre letrat tingëllojnë si rrëfime të vërteta, nga të cilat gjykimet për jetën gërshetohen me kuptime filozofike, serioziteti me intimitetin, shqetësimet e brengat e moshës së pjekurisë me tone gazmore që evokojnë rininë e tyre çapkëne. Duke i gjykuar më nga afër letrat e Apostolit, të bën përshtypje në radhë të parë dashuria dhe stima e thellë deri në adhurim e grekut për mikun e tij shqiptar.
Ai e cilëson atë shpirtin dhe krenarinë e shoqërisë së tyre, e quan shenjt në kuptimin e fisnikërisë e të humanizmit dhe të drejtësisë së mendimeve. Këtë e dëshmon dhe me letrat që merr prej tij, të cilat janë për të si një urim i Zotit, i një Zoti të mirë, si kurë optimizmi apo motiv i një zemre të gëzuar për të luftuar hidhërimin. Apostoli i shkruan Nolit se duke marrë librat e tij, morëm shpirtin tënd, morëm shpirtin e së mirës, drejtësinë që zotëron në fjalët e tua… Kjo ndodh, arsyeton ai, sepse kujtimi yt është për ne ringjallje e një bote të tërë dhe më tej: Ne na lidh dashuria më e madhe, dashuria me të vërtetë vëllazërore që ekziston mbi dhe. Kuptohet se përse nga një letër në tjetrën përsëritet si një lajtmotiv dëshira e zjarrtë për t’u takuar. Nuk është vetëm Apostoli, por edhe shokë të tjerë grekë që e presin me padurim Nolin në Sen Kly. Ata i ndjekin lëvizjet e mikut të tyre diplomat sa në Gjenevë e në Romë, në Berlin e gjetkë dhe shpresojnë t’u vijë në Paris. Ardhja e tij është për ta ëndërr dhe premtim i fortë dhe mungesa e gjatë është kthyer në brengë. Prandaj letrat janë të mbushura plot thirrje vëllazërore: Kur do të vijë dita që të shihemi? Duhet të kemi shpresa të shihemi se po të mos jenë këto shpresa çfarë na ngelet? Ata i mban shpresa se kur të takohen, do të flasin mbi gjithçka… dhe me një paqë të shenjtë shpirtërore. Nga gjithë sa i shkruan Apostoli, marrim vesh jo vetëm se me ç’ndjenja të thella janë lidhur, por dhe interesat, konceptet dhe shijet e përbashkëta. Duke qenë intelektualë dhe krijues të vërtetë, priren kryesisht nga sferat e artit e të kulturës dhe temën kryesore e përbëjnë letërsia dhe teatri. Prandaj dhe gjykimet dhe informacioni që jep Apostoli kanë të bëjnë me to.
Arsyetimet e tij flasin për nivel kulturor, për pavarësi e origjinalitet mendimesh. Kështu, duke folur për raportet mes Gëtes dhe Bethovenit, ai pohon se Gëtja është i vetmi oborrtar që nuk e kuptoi Bethovenin, ndërsa më poshtë, duke marrë shkas nga shkrimtari gjerman, i kujton shokut të vet se sofisti Gëte është kudo, njësoj si Noli që është kudo, veç këtu jo. Apostoli, që ndjek jetën teatrore franceze, nuk mund të rrijë pa i treguar për këtë ish-kolegut të vjetër të skenës. Ai ka parë dramat Fundërrinat e Gorkit dhe Xhaxha Vanja e Çehovit dhe i shkruan për mbresat e thella që i kanë lënë. Madje i kujton çaste nga shfaqjet, si skenën, kur, pasi këndojnë një këngë, një nga personazhet thotë: “Uf, sa rëndë na vrau kënga” (Fundërrinat) ose fjalët e Sonjës që i thotë xhaxha Vanjës kur largohen profesori parazit me të shoqen: “Eja të fillojmë sërish punën që braktisëm këtu e tre muaj më parë. Kështu, me punë do t’i kalojmë vitet deri sa të vdesim (“Xhaxha Vanja”). Ai është aq i entuziazmuar nga këto drama, sa në fund pyet Nolin: “Cili nga popujt e Perëndimit ka folur e flet ende si populli rus?” Duke e pritur shokun ai dhe rrethi i tij, në Paris, kanë ndërmend ta shëtisin nëpër qytetet e artit të Francës e sidomos në bregun e artë francez, i cili në mungesë të Nolit u bëhet se është aq larg sa i duket njeriut bukuria që dëshiron.
Nga ana tjetër, kur merr vesh se Noli gjendet në Romë, Apostoli i shkruan se dhe ai mund të shkonte atje, se kish nevojë për një udhëtim në Itali, në mënyrë që të pushtohet nga shpirtrat e Renesancës. Ai bën fjalë dhe për një udhëtim të përbashkët në Greqi. Vetë Noli ka hedhur idenë në një letër, për kthimin tonë në Itakë dhe Apostoli e pret me një habi të gëzuar: “Zoti të faltë për këtë “ligësi” të pashpjegueshme! Si mund ta mendojë një gjë të tillë një njeri i shenjtë si ti?” Kjo pyetje shpjegohet me faktin se ai e di mirë që disa rrethe të caktuara në atdheun e tij nuk pajtoheshin me shqiptarizmin e Nolit. Është me shumë interes dëshira që Apostoli ka për të vizituar Shqipërinë. “Këtë Shqipëri – pyet ai – nuk do ta shohim ndonjëherë? Dhe kur është aq afër Evropës?”
Tingëllon si ironi e dhimbshme kjo pyetje e fqinjit të atdheut të vet. Ai nuk ia bën rastësisht. Noli është në krye të veprimtarisë diplomatike shqiptare të kohës dhe miku i vjetër e di se sa e çmonte ai miqësinë shqiptaro-greke. Apostoli ka dëgjuar nga një zyrtar grek në Paris se peshkopin shqiptar e përdorin për punët e tyre jashtë dhe e kupton nëntekstin jo dashamirës të zyrtarit të lartë dhe tërthorazi nuk pajtohet me të. Për Apostolin, në politikën ndaj fqinjit të Veriut mungon dashamirësia e sidomos qëndrimi realist. Kjo, sipas tij, vjen në radhë të parë nga mosnjohja, sepse njohja është kusht i parë i së vërtetës, i civilizimit. Ai e qartëson më tutje mendimin kur shkruan: “Megjithatë, ata që e drejtojnë këtë Greqi, jo vetëm nuk kanë ide, po as informata, që është një gjë kaq e lehtë të kenë. Jam i sigurt se vetëm grekët e informuar mirë do të ishin të civilizuar. Po kjo s’ndosh vetëm me grekët. Kjo është një e vërtetë banale për të gjithë njerëzit… mungon në radhë të parë informata e saktë” dhe, për mendimin e tij, “kjo përbën një gjë elementare… është gjëja më elementare për dritën, është elementi i parë i dritës”. Një logjikë e pakundërshtueshme e përshkon këtë arsyetim të mençur të mikut grek. Është logjika e së vërtetës, larg paragjykimeve dhe prapamendimeve. Prandaj letrat e Apostolit, ndonëse të shkruara mbi 95 vjet më parë, duken sikur janë shkruar sot. Ato i bën të tilla, mbi të gjitha, mesazhi i miqësisë që sjellin në kohën e sotme. I një miqësie të sigurt dhe të pastër, që nuk u takon vetëm dy personaliteteve të kulturave tona, por dhe dy popujve që jetojnë në fqinjësi të përjetshme.”
Duke shprehur edhe njëherë mirënjohjen time për gjithë anëtarësinë dhe kryetarin e Bashkisë së Dropullit z. Ahile Deçka, profesorët Kostando Ksera e Panajot Barka, përfaqësuesin e Konsullatës Greke që nderoi me pjesëmarrjen e Tij në atë ceremoni, z. Konstandinos Mihelis, besoj se kam edhe mirëkuptimin e çdo emigranti shqiptar, që, ashtu si unë, ka zgjedhur për atdhe të dytë vendin e bekuar të Homerit, t’Ju falënderoj përzemërsisht! Mirënjohje të gjithëve Ju që respektoni personalitet tona të përbashkëta!/Respublica.al