Nga Ermal Telhai
Sapo hyra në rrjet sot në mëngjes, pashë një bum të madh lajmesh e statusesh që rrotulloheshin drejt një lajmi, shoqërimit në polici të Henri Çilit. Më bëri habi fakti dhe fillova të hulumtoja dhe të pyesja në lidhje me situatën.
Me sa më treguan, në UET kishte zbarkuar policia sikur ishin duke shkuar në ndonjë plantacion droge, jo në një universitet që ka diplomuar mijëra studentë, punësuar qindra pedagogë e staf administrativ, pritur e përcjellë qindra personalitete kombëtare e ndërkombëtare.
Po sipas tregimit, një prej të shoqëruarve prej atje e kishin marrë pothuajse zvarrë në ambjentet e universitetit dhe në prani të shumë kolegëve e studentëve.
Me çfarë kemi të bëjmë?! Me hapësirë ku formohen profesionistë apo me bazën e një organizate kriminale?! A është kjo mënyra si duhet të veprojë policia?! Henri Çili apo kushdo tjetër që mund të ketë kryer vepra penale, duhet të shkojë para drejtësisë dhe të marrë trajtimin ligjor që i takon, shpejt dhe pa anësi, por që një pronar universiteti të bëhet shembull nga policia vetëm mbi bazë dyshimesh, kur i ashtuquajturi Eskobari i ballkanit u prit me respekt në distancë nga drejtuesit e së njëjtës polici që të kryente “ceremoninë” e përshëndetjes me të afërmit, më duket absurd.
Unë nuk besoj që Henri Çili do t’i thoshte jo njoftimit nga policia për tu shoqëruar si person i dyshuar, pa bujë të pakuptimtë dhe besoj që përderisa kishte një urdhër ndalimi për të, nuk kishte nevojë për prova shtesë, për më tepër, në universitetin që ai ka thememeluar por që nuk i përket fare atij.
UET, sikundër çdo institucion tjetër arsimor, është e mirë publike, i takon studentëve, pedagogëve, drejtuesve, punonjësve administrativë, qytetarëve që e zgjedhin për shkollimin e fëmijëve, botuesve, kërkuesve shkencorë, personaliteteve që marrin pjesë në konferenca, aktivitete, promovime librash etj etj. Lidhja që i bëhet themeluesit me institucionin është e padrejtë dhe absurde!
Tituj bombastikë, akuza e stërakuza pa u zbardhur ende ngjarja, lajme, klikime, ushqim i audiencës deri në mbingopje me detaje të panevojshme, për çfarë?! Sepse paska dalë në disa përgjime emri i tij dhe disa të tjerëve për tentative ndërhyrje në gjykatë.
Nuk jam jurist dhe s’kam ndërmend të bëj mbrojtjen e askujt, thjesht inkurajoj drejtësinë që t’i shkojë deri në fund situatës.
Mëkati publik i Henri Çilit për të merituar këtë linçim që ishte i pritshëm, është që ka themeluar universitet, gazetë, reviztë, shtëpi botuese dhe u ka dhënë mundësinë shumë individëve, të studiojnë e punojnë në atë ambjent jo pak sfidues.
Pritini kriminelët me tapet të kuq e lule, përshëndetini dhe adhurojini edhe kur zenë karriget në parlament apo institucione të larta!
Edhe kur t’i arrestoni, njoftojini paraprakisht që të marrin masa për dekorin, orkestrën, të ftuarit për ceremoninë e përcjelljes, mundësisht të bëjnë edhe ndonjë intervistë për mediat, pastaj shoqërojini me mjete komode. Kurse universitarët, tërhiqini zvarrë, në sy të të gjithëve që ta marrin vesh mirë se sa u vlen lëkura. Shoqëri që të fut frikën në palcë!