Vijojnë lëvizjet në administratën e Bashkisë Gjirokastër. Së fundi kryebashkiaku Flamur Golemi ka emëruar në postin e Administratorit të qytetit, Anest Basharin. Ky i fundit është aktualisht edhe kryetar i forumit rinor të PS-së. Bashari ka përfunduar studimet e larta për Ekonomi, si dhe ka përvojë pune në administratën publike. Në kushtet kur deri më tani postet drejtuese kryesisht iu jepen ‘xhaketave të vjetra’, promovimi i të rinjve në administratë është një lajm i mirë.
Sfida nuk është që ata të bëhen si ‘xhaketat e vjetra’, të marrin huqet dhe avazet e tyre, por të kontribuojnë që zyrat e shtetit të jenë më të mira dhe që qytetarët të marrin shërbimet që meritojnë. Gjirokastra, përfshi edhe bashkinë si institucioni kryesor i qeverisjes vendore, ka nevojë më shumë se kurrë për të rinjtë. Jo thjesht të rinj që nevojiten për fushata sa për të tundur flamuj, por që iu besohet përgjegjësi dhe iu delegohen projekte konkrete. Dhe jo detyrimisht vetëm të rinj që vijnë nga radhët e socialistëve. Ka plot të tillë edhe jashtë gardhit të PS-së. Mbajtja e të rinjve në Gjirokastër është një sfidë e përbashkët e Flamur Golemit si kryebashkiak dhe e kujtdo tjetër që ndikon në politikat zhvillimore të qytetit.
©argjiroja.net