Zbulohen detaje lidhur me gjendjen e 6 të infektuarve me koronavirus, të cilët ndodhen në karantinë pranë spitalit Infektiv në QSUT. Mësohet se 28-vjeçari, i cili erdhi nga Firence dhe është identifikuar si ‘pacienti 0’, është në gjendje të mirë.
Edhe të shtruarit e tjerë paraqesin një gjendje të mirë pa komplikacione që mund të rezultojnë fatale. Të gjithë pacientët nuk kanë nevojë të intubohen apo të mbahen në reanimacion pasi kanë gjendje të mirë.
Shkon në 6 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri. Fillimisht rezultuan të infektuar dy persona, babë e bir, përkatësisht 54 dhe 28-vjeç. Ministria e Shëndetësisë njoftoi në orët e para të mëngjesit të sotëm se analizat e 3 familjarëve të tyre rezultuan pozitive. Po kështu, sipas ministrisë është i infektuar edhe një 31-vjeçar, i cili kishte shkuar në Milano. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë që të ruajnë qetësinë, ndërkohë ata që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndiejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127 dhe të mos shkojnë direkt në spitale. Rama një ditë më parë dha urdhërin që të mbyllen institucionet e arsimit me dy javë dhe të anulohen të gjitha aktivtetet deri më 3 prill.








