Drejtoresha e Inspektoriatit të Shëndetit Publik, Albana Fico iu ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të respektojnë të gjitha rregullat e higjienës. Fico tha se duart duhet të lahen për më shumë se 20 sekonda, dhe se facoletat (letrat), duhet të hidhen në kosh me kapakë të mbyllur.
“Larjen e duarve më shumë se 20 sekonda, përdorimin e dezinfektantëve, respektimin e higjienës respiratore, përdorimin e facoletës, pas kollitjes dhe teshtimave dhe pasi e përdorim ta hedhim në kosh me kapakë të mbyllur. Të zbatojmë rregullin e distanimit social, por të gjithë jemi të informuar që një nga mënyrat e përhapjes janë spërklat në kontakte direkte dhe jo e ajrit.
Dua t’i apeloj qytetarëve që të ndjekin rregullat e higjenës personale. Të respektojnë higjenën respiratore. Për të teshtitur të përdorin gropën e bërrylit. Duhet të jemi të informuar që një nga mënyrat e përhapjes është mospërdorimi i higjenës. Duart e dezinfektuara nuk është e nevojshme që ta bëni, lani duart. Zbatoni urdhrat për ministrinë e Shëndetësisë.”-tha Fico.
Deklarata e drejtoreshës së ISHP, u bë gjatë përditësimit zyrtar të të dhënave për të prekurit nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë raportoi sot se tanimë, bilanci ka shkuar në 10 të prekur, njëri prej tyre në spitalin e Durrësit. Ndërkohë, 3 janë të shtruar në Spitalin Infektiv, njëri në Spitalin e Durrësit, ndërsa të tjerët, janë të vetë-karantinuar në shtëpi.








