Nga Skënder Minxhozi
Një shqiptar që jeton në Londër, shprehte dje pakënaqësinë për kufizimet mbi sasitë e ushqimeve, në dyqanin ku ai shkon thuajse çdo ditë. Vetëm tre pako makarona, ishte rregulli i pronarit, sa për të dhënë një shembull, ndërkohë që lista nuk mbaron me kaq dhe ku përfshiheshin edhe disa lloje bulmeti dhe letra higjenike.
E pra Britania e Madhe ka ndjekur një politikë pritëse ndaj koronavirusit, duke u treguar konservatore, siç di të jetë vetëm ajo, edhe në këtë pandemi, pa imponuar shtrëngesa e rregulla ndeshkuese ndaj qytetarëve të vet.
Kufizimet që kanë hyrë në fuqi këtu tek ne, kanë përfshirë deri tani lëvizjen në këmbë dhe me automjete, kanë imponuar mbylljen masive të shkollave, dyqaneve e lokaleve, aktiviteteve e grumbullimeve masive, duke lënë hapur njësitë ushqimore dhe farmacitë. U mbush java që qeveria përpiqet të detyrojë zbatimin e kësaj liste masash nga shqiptarët e thjeshtë. Një ushtrim i vështirë, nëse mendon që në një ditë të vetme, edhe në një vend të zhvilluar si Italia, ishin vënë 43 mijë gjoba për shkelësit e karantinës.
Një foto të vriste sytë në këtë fundjavë, në morinë e lajmeve mbi paraditen e së shtunës, gjatë të cilës shumëkush vuri maskën, mori me majat e gishtave kartën bankare dhe paratë duke i rrasur thellë në xhep, zbriti shkallët duke parë gjithë dyshim komshinjtë dhe ju drejtua dyqanit të lagjes për të blerë ç’të mundej. Fotoja tregonte një nga tregjet e hapura të një lagjeje në Tiranë, ku qindra njerëz barisnin të shkujdesur mes tezgave, ngjitur me njëri-tjetrin, pa u merakosur fare për distancën mes tyre. Një pamje horror, nëse e vendosim në logjikën aktuale të qëndrimit të dhunshëm në shtëpi dhe të shmangies së turmave.
Pak a shumë këtë ritual e kryen sot disa dhjetra mijë njerëz nëpër Shqipëri, duke krijuar një situatë që vështirë se ndihmon qëllimin primar për të cilin është ndërmarrë karantina dhe qarkullimi më orare të kufizuara: distancimin social. Më shumë se distancim social, sot pamë hallakatje sociale dhe shpërfillje të një pjese të publikut, përballë urdhërave të rreptë për të mos vepruar ashtu.
Çka tregon se metoda e orareve të kufizuara të lëvizjes, që qeveria e ka ndryshuar disa herë, duhet riparë me urgjencë. E vërteta është se nën trysninë e minutave dhe orëve që kalojnë, shumëkush përpiqet të mbarojë të gjithë listën e punëve për të cilat ka dalë rrugëve i veshur si ufo. Ndoshta, pas mbylljes së gjithçkaje, madje edhe parqeve, duhen gjetur mënyrë të tjera për të shkurajuar lëvizjen masive të njerëzve nëpër rrugë. Duke nisur nga kontrolli më rigoroz i njësive të mëdha e të mesme të shitjes së ushqimeve, kalimin nga faza e “këshillimit” tek dënimi i rreptë i shkeljeve, hyrja e policive të rendit e bashkiake nëpër rrjetin e rrugicave të lagjeve e mahallave, aty ku ndodhin shpesh lëvizjet e pakontrolluara, e deri tek paracaktimi i një personi të familjes për të kryer blerjet esenciale. Të gjitha janë të vështira, por të paevitueshme. Kur të shohim policë nëpër lagjet tona do e kuptojmë se shteti nuk po bën më shaka (si zakonisht). Kur të shohim gjobat dhe dënimet e tjera për ata që dalin në oraret e ndalim-qarkullimit, do e mendojmë dy herë kur të vemë këmbën jashtë derës.
Nga ana tjetër mund të disiplinohet edhe turrja pas blerjeve masive nëpër dyqane, të cilat kanë futur në krizë edhe supermerkatot e SHBA dhe Evropës. Racionimi simbolik për blerjen e disa mallrave ushqimore bazë, mund të shpëtojë eskortat e mallrave që janë tashmë gjendje, pa futur në stres sistemin tregëtar. Sepse është jonormale të shohësh një person që shkon në dyqanin e lagjes dhe blen gjithë sasinë e sheqerit, vetëm e vetëm për të zbutur frikën a panikun që ka në bark.
Askush nuk ka një formulë fitimtare për këtë krizë të paprecedent. Vetë Kina, por edhe Italia pas saj, bënë gabime që sot i pranojnë publikisht. Donald Trump i gënjeu amerikanët për një muaj rresht, duke ju thënë se ky është një grip si të tjerët. Edhe vendet më të mëdha e kanë të vështirë mbajtjen e njerëzve brenda shtëpive të tyre, por kjo është një sfidë që seciloi shtet po e përballon me kapacitetet e veta. Distancimi social është thjesht një togëfjalësh në letër. Kur e kalon në praktikë, është një mal më i lartë se Everesti. Këtë po mësojmë të gjithë bashkë këto orë dramatike.
Për fat politika jonë e vetëizolimit përballë koronavirusit, ka qenë e hershme dhe e ashpër. Problemi kryesor tani është të mbajmë ritmin e respektimit të këtij formati të qasjes ndaj krizës. Sa më fort ta ushtrojmë presionin sot, aq më të pakta do të jenë lajmet nga spitali infektiv nesër. Një pronar restoranti në Napoli, i pyetur teksa mbyllte aktivitetin dha këtë përgjigje për një nga televizionet italiane: Sa më shpejt ta mbyll, aq më shpejt do e hap…/ Javanews.al