Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka bërë thirrje për t’iu bashkuar vullnetarisht grupeve të patronazhit që kujdesen për të moshuarit që jetojnë vetëm. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai sjell në vëmendje edhe rastin e një studente, e cila ka shkuar vullnetarisht në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe pensionistëve gjatë ditëve të kësaj situate emergjente. Ajo quhet Kushila Kore. Ja cfarë shkruan Golemi në faqen e tij.
🔴 Bashkë me punonjës e bashkisë në këto ditë të vështira ka edhe vullnetarë në grupet tona të patronazhit. Nuk është fare e çuditshme dhe as nuk shkon kundër thirrjes që ne e përsërisim pa pushim për të qëndruar në shtëpi. Solidariteti dhe vullnetarizmi s’ka munguar asnjëherë në Gjirokastër.
🔴 Kushila Kore është një studente që na është bashkuar që prej ditës së parë kur nisëm punën në terren për të shpërndarë ndihma tek familjet ne nevojë dhe për të asistuar të moshuarit.
🔴 Secili prej jush mund të japë kontributin e tij në këtë situatë të pazakontë. Secili prej jush mund të marrë në patronazh një apo disa të moshuar në pallatin ose lagjen e vet. Të jeni në kontakt të vazhdueshëm me ta, t’i asistoni sa herë kanë nevojë për ushqime apo ilaçe, të ndërmjetësoni për nevojat e tyre.
🔴 Bashkia me strukturat e veta të shërbimit social dhe grupet e patronazhit po bën maksimalisht, por ky proces patronazhimi për gjithë periudhën që do të zgjasë emergjenca nga Covid-19 ka nevojë për sa më shumë njerëz.
🔴 Ju lutem, kushdo që do të ndihmojë dhe të përfshihet në këtë mision historik për të mbrojtur të moshuarit, le të paraqitet pranë Bashkisë Gjirokastër, të marrë një dokument identifikimi dhe të deklarojë emrat që ka në patronazh.
🔴 Çfarë do të thotë të kujdeseni për ta? Thjesht të kontaktoni shpesh në telefon duke i pyetur për nevojat që kanë, t’i lehtësoni marrjen e ushqimeve apo ilaçeve që iu duhen ose pagesën e pensionit.
🔴 Nëse ne i ndihmojmë të moshuarit që jetojnë vetëm për këto nevoja, ata nuk kanë përse dalin jashtë banese dhe rrjedhimisht nuk janë të ekspozuar ndaj Covid-19.
🔴 T’i mbrojmë gjyshërit dhe gjyshet tona. Çdo dalje e tyre jashtë banese, i hap derën virusit të hyjë brenda. Ju mirëpresim në këtë mision të madh solidariteti në emër të jetës dhe dashurisë për njëri-tjetrin.