Mjeku Ardian Fandi që prej vitesh punon në Londër ka folur sot rreth rrezikut të COVID-19. Në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live”, Fandi u shpreh se masat e marra nga Shqipëria janë të duhurat dhe kjo ka bërë që ne të kemi numër të pakët të të infektuarve dhe viktimave.
Më tej mjeku këshilloi qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë higjenën, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të minimizohet përhapja e virusit. Mjeku tha se frutat para se të futen në shtëpi duhet larë, pasi minimizojnë rrezikun e përhapjes së COVID-19.
“Ne jemi një vend i varfër dhe u treguam më shumë të zgjuar se shumë vende të tjera. Nëse nuk do të kishim marrë masat atëherë do të kishim shumë të sëmurë. Ne në filim na thanë mos vendosni maska sepse përhapni panik tek pacientët. Kemi qenë në shkollë kemi bërë provimin e higjenës, ishte provim i lehtë, por qenka e vështirë për t’u aplikuar.
Unë them që virusi do të përfundojë nëse respektojmë masat dhe qëndrojmë të mbyllur. Për fat të keq një person nuk shfaq simptoma, por duke mbajtur karantinën për një kohë që është e nevojshme, përhapja mund të minimizohet. Ju lutem rrini në shtëpi, ju lutem mbani higjenë. Çdo kokërr molle, domateje, pastrojeni dhe më pas futeni në shtëpi”, tha mjeku.









