Në orën 11:00 në Gjykatën e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pritet te zhvillohet procesi gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Në datën 9 prill seanca u shty për shkak të COVID-19. Saimir Tahiri u dënua nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me 3 vite 4 muaj shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Gjykatësi Ardit Mustafaraj vendosi të ndryshojë akuzën e prokurorisë nga trafik ndërkombëtar droge dhe grup i strukturuar kriminal në shpërdorim detyre.
Sipas gjykatës, me aq prova sa kishte sjellë prokuroria nuk provohej akuza e ngritur por kishte të dhëna mjaftueshëm për të dënuar për shpërdorim detyre. Të dyja palët apeluan vendimin; Saimir Tahiri kërkon pafajësi dhe prokuroria dënimin për akuzat e trafikut të drogës dhe grup i strukturuar kriminal. I bashkëpandehur në këtë proces është edhe Jaeld Çela ish-drejtori i policisë së Vlorës, prej tre vitesh në arrati.









