• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Rrëfimi i mjekut të Enver Hoxhës/ 5 Maji, Qemali, Nexhmija dhe lidhja e martesave për interes të partisë

05/05/2020
Rrëfimi i mjekut të Enver Hoxhës/ 5 Maji, Qemali, Nexhmija dhe lidhja e martesave për interes të partisë

Pak javë më parë doktor Isuf Kalo botoi librin “Blloku”, ku tregon punën e tij si mjek i Enver Hoxhës, por dhe duke iu bërë një skaner shumë figura të atij sistemi.

Me rastin e 5 Majit, ditës së rënies së Qemal Stafës, DITA boton ekskluzivisht rrëfimin e doktor Kalos për relacionet e Qemalit me Nexhmijen.

Cfarë mendonte bashkëshortja e Enver Hoxhës, për një prej bashkëluftëtarëve më të afërt tësaj.

Zërat për një relacion mes tyre dhe dyshimet e një xhelozie nga Enveri.

Pse u zgjodh dita që u vra Qemal Stafa si dita e dëshmorëve dhe jo një datë tjetër që mund të kishte akte edhe më heroike.

Më poshtë rrëfimi i Doktor Kalos për të pathënat e marrëdhënies së Qemal Stafës, Nexhmije Hoxhës dhe Enverit…

***

Nga Isuf Kalo

 

NEXHMIJA “BASHKËQEVERISËSE”

Figura, veprimtaria dhe karakteri i Ramiz Alisë janë vështirë të ndahen nga ndikimi i rrethanave të fatit që e sollën atë, që gjatë viteve të luftës, në kontakt të ngushtë dhe që e mbajtën në miqësi të gjatë me Nexhmije Hoxhën. Ishte miqësi që nga fillimi deri në fund nga ana e të dyve, e pastër, puritane, kameradeske prej militantësh. Ndonëse pata fatin t’i njoh të dy nga afër, e kam të pamundur të them se cili nga ata ndikoi më shumë për të formuar te secili sjellje, qëndrime, taktika dhe karaktere të ngjashme.

Nexhmija, ndoshta më parë e më saktë sesa Ramizi, njohu dhe kuptoi “gjuhën e Bllokut” dhe “preferencat e pathëna të Enverit”. Dhe pastaj me kohë ndryshoi, duke u ambientuar e duke përshtatur sjelljen, objektivat dhe karakterin e saj me to. Njohja e saj me Ramizin ndodhi gjatë luftës, në Konferencën e Rinisë Komuniste Antifashiste që u zhvillua në Helmës të Skraparit. Ramizi ishte një ndër organizatorët lokalë të saj. Pas takimit të parë aty, do të fillonte një bashkëpunim i ngushtë e i gjatë i të dyve në sektorin e rinisë e të ideologjisë. Bashkëpunim miqësor, moralisht korrekt, thjesht si dy kolegë në një front pune të përbashkët.

Veprimtarinë me rininë komuniste Nexhmija e pati filluar që në bankat e shkollës së mesme. Në ato vite të adoleshencës, të viteve shkollore dhe të rinisë së hershme, Nexhmija kishte qenë “vajzë e mbarë”, e moralshme, thuajse “engjëllore”. Por, kur u përfshi në rezistencën antifashiste të komunistëve në ilegalitet dhe u njoh, fshihej

e lëviznin të dy në muzg, mbi të njëjtën biçikletë me Enver Hoxhën dhe flinin në shtëpi simpatizantësh. Vështruar retrospektivisht, në sytë e opinionit tradicional konservator ajo i theu tabutë e sjelljeve të vajzave të “ndershme” të asaj kohe.

Pas rënies së regjimit komunist është përfolur herë si aludim i hamendësuar e herë i shprehur me tendenciozitet (pa fakte apo dëshmi të verifikueshme) një “lidhje shpirtërore” apo diçka më tepër se aq e Nexhmijes në rininë e hershme të saj me Qemal Stafën. Ky aludim bëhej gjithsesi për kohën para lidhjes së saj definitive me Enverin.

Askush nuk është shprehur qartë e i sigurt se çfarë mund të ishte ajo marrëdhënie e supozuar: ndjenjë e vërtetë, flirt kalimtar, dashuri platonike, simpati vajzërore e adoleshencës, apo miqësi puritane romantike, pa qëllim të “keq”, siç predikonin asokohe militantët e parë komunistë? Cilado prej tyre të ketë qenë e vërtetë, e parë sot, qoftë edhe me syrin e moralistit më fanatik, asnjëra nuk përbën çudi, as blasfemi, kur flitet për një vajzë që atëherë ishte vetëm 17 vjeçe.

Interesi për atë marrëdhënie u zgjua në kushtet kur u përhap një mjegullnajë në periudhën postkomuniste, e cila, nisur nga mllefi, mbështolli tërë bëmat, fajet duke mbjellë mallkim për regjimin e mëparshëm, e veçanërisht për Enverin. Në këtë kontekst u përhap edhe akuza intriguese sikur vrasja dhe eliminimi i Qemalit nga skena partiake e politike nuk ishte spontane, por një akt i fshehtë pabesie, i organizuar prej Enverit, për arsye rivaliteti në karrierën politike, por dhe prej “xhelozisë mashkullore” ndaj tij.

Vetë Nexhmija i ka hedhur poshtë publikisht me vendosmëri të tilla aludime. Ajo ka folur e shkruar hapur, pa komplekse për miqësinë e simpatinë, si dhe vlerësimet e larta, superlative, të saj për Qemalin. Dhe e ka shprehur versionin e vërtetë që ajo beson si shkak të vrasjes së tij, si dhe për dhembjen që ndjeu dhe ndau natyrshëm, bashkë me Enverin, pasi mësuan të dy lajmin e kobshëm të humbjes së këtij shoku e miku të mirë e të shtrenjtë të tyre.

Duke e shpallur më vonë datën 5 maj 1942, ditën e vrasjes së Qemalit (dhe jo atë të Vojo Kushit, që ishte shumë më heroike me gjoksin mbi tank!) si ditën përkujtimore për të gjithë dëshmorët, ata të dy mbase deshën të dëshmonin vlerësimin e tyre të veçantë për të.

Qemali, siç e përshkruan Nexhmija dhe ata që e patën njohur, ishte djalosh i ri përparimtar, pa paragjykime, me kulturë të gjerë, organizator dinamik, orator e letrar i talentuar dhe me karakter të çiltër e të vendosur. Ai pat besuar thellësisht në ideologjinë komuniste. “Po. Jam komunist dhe jam krenar për këtë. Sepse vetëm komunizmi do ta shpëtojë botën nga mjerimi i sotëm”, ishte shprehur haptas e trimërisht ai në gjyqin e grupit komunist të Shkodrës, përpara se të themelohej Partia jonë Komuniste, teksa i kishte duart të mbërthyera në pranga.

Natyrisht, është e pamundur dhe pa ndonjë vlerë të madhe “zbulimi” pas kaq shumë kohësh i ndjenjave që patën apo fshehën në zemrat e tyre për njëri-tjetrin, pas njohjes së tyre të parë, dy të rinjtë Qemal dhe Nexhmije. Por nuk është krejt e pamundur dhe e pajustifikuar të përfytyrohet një romancë idealistike apo platonike “rozë”, e përjetuar heshturazi mes tyre. Aq më tepër që kjo thuhej se kish ndodhur përpara se Nexhmija të njihej e të lidhej me Enverin. Janë disa elemente të rrëfyera nga vetë Nexhmija që marrin domethënie në këtë kontekst.

Qemali ishte, siç është pohuar edhe nga Nexhmija, i pari që e zbuloi dhe e tërhoqi atë si militante në radhët e të rinjve që besonin në ideologjinë komuniste e revolucionare që në vitin 1937, kur ajo ishte nxënëse në moshën 16-vjeçare. Kjo ndodhi 4-5 vite para themelimit të Partisë Komuniste dhe njohjes së saj me Enverin. Në “Celulën e shoqeve” që Qemali, si anëtar i Grupit komunist të Shkodrës, pat krijuar në Institutin Pedagogjik Femëror të Tiranës, ku bënin pjesë Liri Gega, Fiqirete Sanxhaktari (Shehu), Drita Kosturi dhe Nexhmija, ishte pikërisht kjo e fundit që Qemali veçoi dhe zgjodhi për ta aktivizuar dhe informuar më hollësisht. Përse vallë? Sepse ishte më e vendosura e më inteligjentja? Apo më tërheqëse, më e pashme e më e ëmbël sesa të tjerat? Mundet edhe për brishtësinë e saj, për të cilën Qemali vetë do e quante më pas “Delikatja”!!

Takimi i parë mes tyre, siç është i përshkruar në kujtimet e Nexhmijes, u krye në fshehtësi në verën e vitit 1937, katër vite para themelimit të Partisë Komuniste, në një vilë private të Tiranës, në rrugën që tani mban emrin “Qemal Stafa”. Portën ia hapi vetë Qemali. Nuk kishte njerëz të tjerë aty. Të zotët e shtëpisë, rastësisht a qëllimisht, kishin ikur atë ditë. Qemali ishte atë vit 17 vjeç. Djalosh i gjallë, i sigurt. Ajo 16. Vajzë adoleshente ëndërrimtare, kurioze dhe e turpshme. Në dhomën ku qëndruan ajo u ul në një minder. Qemali në një karrige përballë saj. Si dy pëllumba që këqyrnin njëri-tjetrin. “Pëllumbi me syze” nisi gugatjen. Jo për paqen, por për luftën. Tjetra dëgjonte e ndrojtur. Kështu filloi edukimi teorik marksist i Nexhmije Xhuglinit. Mundet që seanca e asaj dite gushti të vitit 1937 të ketë qenë e para dhe më e veçanta për edukimin marksist që do të zhvillohej në Shqipëri. “Mësuesi” dhe nxënësja e vetme në atë “klasë” kishin vetëm një vit diferencë moshore!

Macja e shtëpisë, e mbetur pa të zotët, kurioze për çiftin, kërceu dhe u ul në prehrin e vajzës. Ajo instinktivisht e përkëdheli. Por “mësuesi marksist” përballë i tërhoqi rreptë vërejtje nxënëses, duke nënkuptuar që ta linte macen dhe të vazhdonte të dëgjonte teorinë, sloganet dhe instruksionet komuniste për transformimin revolucionar të botës. Në fund të bisedës Nexhmije Xhuglini do të quhej tashmë “shoqe e re e edukuar komuniste”. Më pas, ndonëse banore e Tiranës, ajo do të anëtarësohej, pa e ditur as ajo vetë pse, jo në Grupin komunist të Tiranës, por në atë të Shkodrës, ku një ndër militantët kryesorë ishte pikërisht Qemali.

Më 8 nëntor 1941, siç dihet, u formua ilegalisht në Tiranë Partia Komuniste Shqiptare. Dy javë pas saj, më 23 nëntor 1941, në një rrugicë tiranase, në shtëpinë e kosovares Bije Vokshi, u themelua edhe Organizata e Rinisë Antifashiste Shqiptare. Falë propozimit të Qemalit, Nexhmija ishte e para dhe e vetmja vajzë apo “shoqe militante”, mes 14 delegatëve burra, si bashkëthemeluese e kësaj organizate rinore. Ajo u zgjodh edhe në kryesinë e saj, si përfaqësuese e të gjitha të rejave dhe grave shqiptare. Aty Nexhmije Xhuglini pa dhe u takua për herë të parë edhe me Enver Hoxhën. Ai kishte ardhur si i deleguar i Partisë Komuniste Shqiptare. Që nga ajo ditë, fati i Nexhmijes do të ndryshonte e do të merrte përgjithmonë rrugë tjetër. Marrëdhënia e saj me Enverin, imponues nga imazhi, oratoria dhe pamja fizike, u zhvillua në mënyrë të vrullshme e të pandalshme.

Ndërkohë, miqësia e saj me Qemalin vazhdoi, në dukje po aq korrekte shoqërore si më parë, por rrethanat ndryshuan. Qemali u fejua me Drita Kosturin, njërën nga ish-shoqet e saj të celulës së shkollës. A ishte dhe a mbeti gjithë kohën miqësia mes Qemalit dhe Nexhmijes vetëm miqësi? “Miqësia, shkruan Gregoire Delacourt në librin ‘Lista e dëshirave të mia’, mund të shndërrohet në dashuri. Por dashuria kurrsesi jo në miqësi.”

Ndoshta për këtë nuk arritën ta dinin të vërtetën as ata vetë. Por në librin e kujtimeve të Nexhmijes për atë periudhë, mes rreshtave ndihet me takt të hollë një farë zhgënjimi si pengmbetje, një dhembje, keqardhje shpirtërore miqësore (apo një lloj xhelozie femërore a shoqërore?) për zgjedhjen, sipas saj jo të qëlluar që bëri Qemali në fejesën e tij. Ajo fejesë ndodhi pasi ai vajti për studime në Itali, ku, siç shkruan ajo, “iu ngjit nga pas” edhe Drita Kosturi.

Nexhmija vetë, zakonisht mjaft e rezervuar në fjalorin e saj, e cilëson ish-shoqen e saj të shkollës dhe të celulës me tone jo admiruese, madje disi të ashpra, si “revolucionare anarkiste”. “E çiltër, por jo aq e ekuilibruar.” “E parregullt në mbajtjen e vetes.” E thënë më haptazi, “jo e denjë për Qemalin”. Për ta mbështetur edhe më tej pakënaqësinë e saj, ajo citon fjalët që i paska thënë Qemalit Bije Vokshi: “Mor bir, ç’a t’u desh me u përzi me atë çikë?”.

***

ENIGMA E SHKUESIVE

Ka pak interes për të ditur nëse pati apo jo nuanca rozë në miqësinë e hershme mes Nexhmijes e Qemalit. Sido të ketë qenë, ajo nuk e cenoi aspak integritetin moral, as sinqeritetin dhe korrektësinë e saj në dashurinë e jetës së saj, atë me Enverin.

Diçka tjetër, që mund të ketë më tepër interes, është ajo që Nexhmija ka evidencuar si pa dashur në rrëfimet e saj për fejesën e Qemalit. Ajo ka të bëjë me mënyrën sesi stiseshin fejesat dhe martesat mes militantëve tanë të parë komunistë. Në përpjekjen për ta shpjeguar misterin me të cilën Drita Kosturi mundi ta “magjepste e ta bënte për vete” Qemalin, Nexhmija, në kujtimet e shkruara, tregon një element tronditës të keqpërdorimit e sakrifikimit të detyruar të ndjenjave njerëzore e të integritetit të militantëve të rinj komunistë “në shërbim gjoja të revolucionit, të kauzës komuniste dhe të interesave të partisë”.

“Ndoshta Qemali nuk ishte çliruar, shkruan ajo, nga forca e disiplinës si militant komunist, nga ai mentalitet i gabuar i grupit, që në emër të interesave të punës sonë ilegale për të krijuar baza komuniste ‘sajonte martesa’. Kështu me këtë mentalitet, vazhdon më tej Nexhmija, u martuan Zylfie Tomini me Xhemal Canin, që hapën pastaj shtëpinë ku u formua Partia Komuniste. Gjystina me Zef Ndojen, që hapën si bazë shtëpinë, e cila u bë baza e dytë e Komitetit Qendror provizor dhe ku u vendos arkivi i partisë. Po kështu u martuan Selfixhe Ciu me Xhemal Brojën, që hapën si bazë shtëpinë në Shkodër”.

Nexhmije Hoxha dhe Qemal Stafa

Nexhmije Hoxha dhe Qemal Stafa

Një martesë të tillë “për interesat e partisë me dikë të cilit nuk ia thotë emrin, ajo pohon se ia patën propozuar edhe asaj, por që e kishte refuzuar vendosmërisht. Më pas, kur Nexhmija pati krijuar lidhjen me Enverin dhe i tregoi atij për këtë propozim të përçudnuar, ai i dha asaj të drejtë”. “Sa mirë ua ke bërë”, i tha ai. Mirëpo a nuk do të thotë ky fakt se ajo veprimtari monstruoze komandohej nga dikush tjetër, pa dijeninë dhe miratimin e Enverit? Pra, lind një enigmë e pasqaruar me hollësi deri tash. Kush e paskej ditur dhe paracaktuar se ku dhe kur do të themelohej Partia Komuniste, për të cilën qenka sajuar dhe realizuar që më parë martesa “patriotike” e “militantëve Zylfije me Xhemalin”, të cilët pastaj do ta ofronin shtëpinë e tyre për këtë eveniment historik? Kush paskësh qenë ky i “fuqishëm” i fshehtë, me mendësi të tillë që sajonte martesa gjoja në interes të lëvizjes e të Partisë dhe planifikonte ngjarjet që do të ndodhnin në të, pa njoftuar liderët shqiptarë në krye të saj?

Kush i seleksionoi, kush i lajmëroi dhe ua organizoi udhëtimin, vendtakimin e delegatëve, rojet, programin paraprak të mbledhjes themeluese, kateringun e kancelarinë e domosdoshme në kushtet ilegale të okupacionit dhe pa mjete komunikimi? Edhe në ditët e sotme, kur disponohen mjete moderne të shtypit, elektronikës, transportit dhe telekomunikimit, është tejet e vështirë të organizohen me vullnetarizëm individual evente të tilla.

Kush e zgjodhi shtëpinë e nipave të kosovares Bije Vokshi në Tiranë, për të themeluar Organizatën e Rinisë Komuniste? Pse pikërisht ajo dhe jo një shtëpi tjetër tiranase? Kush dhe si siguroheshin teknika, mjetet e kamuflazhit me kostume e kapele aristokrate, biçikleta, syze, pasaporta false, pajtonë e mjete të tjera konspirative, me të cilët lëviznin të maskuar ilegalët e parë komunistë? A mund t’i realizonte të gjitha këto vetë Partia Komuniste, ende e pakrijuar apo e sapokrijuar, por pa burime logjistike e financiare? A mund të realizoheshin të gjitha këto nën hundën e okupatorit kaq thjesht, kaq lehtësisht apo spontanisht, vetëm nga amatorët militantë të ditëve të para?

Mos vallë diçka është mbajtur e fshehur dhe fshirë më pas qëllimisht në historikun e lëvizjes dhe të Partisë sonë Komuniste?

Mos vallë mbështetja organizative në prapaskenë nga ana e Partisë Komuniste Jugosllave të atëhershme (për hir të interesave të saj) ka qenë më e hershme, më e gjerë, më e koordinuar profesionalisht e materialisht sesa ajo çka është pohuar deri sot vetëm si prani “rastësore” e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit? Mendja të shkon te ky i fundit, edhe për lidhjen e pastaj martesën e Mehmet Shehut me Fiqirete Sanxhaktarin, atëherë të dy në shtabin komandues të Brigadës së Parë, ku “këshilltar” i pandarë pranë tyre në atë brigadë qe pikërisht Dushan Mugosha. Apo për divorcin misterioz të Hysni Kapos me gruan e parë, me të cilën kishte edhe një djalë, të kryer në heshtje, dhe martesën e tij, fill pas Çlirimit të vendit, me Vito Kondin, ish-sekretaren e Shtabit e personalisht të Enverit.

Mos vallë Mugosha, “këshilltari” politik serb, që e fliste mirë shqipen, pati mision, përveç procesit të formimit të Partisë Komuniste edhe atë të krijimit të arkitekturës udhëheqëse të saj me persona të njohur nga afër dhe të besueshëm të tij? Po t’iu referohesh letrave që i kanë dërguar Dushan Mugoshës, me pseudonim Sali Murati, në shkurt 1944 kur ai u larguar nga Shqipëria, qoftë Enveri, Mehmeti, Nexhmija, Fiqiretja e Nako Spiro etj., duket qartë se ata ndiheshin tepër mirënjohës dhe të obliguar, duke u shprehur me superlativa ndaj tij për “ndihmë në mësimet dhe kontributin” që ai kishte dhënë në vitet që qëndroi i komanduar nga Tito te ne, si për themelimin e Partisë Komuniste, ashtu dhe më pas, për organizimin e saj dhe më vonë krijimin e njësive të armatosura partizane, ku ndër më të shquarat prej tyre ishte Brigada e Parë, në shtabin e së cilës Mugosha ishte këshilltari kryesor.

Enveri dhe Nexhmija, Mehmeti dhe Fiqiretja i shkruan atij në ikje, secili letër më vete, me kaq dashuri dhe falënderime maksimale sa të bën të besosh se ai ka luajtur rol esencial jo vetëm për themelimin e partisë, por edhe në rrjedhën e jetës personale e ndoshta edhe atë familjare të tyre. “Para se të vije ti, i shkruante Mehmeti, ne nuk ishim parti, por ishim një grumbull bashibozukësh, ishim një turli zarzavatesh të hidhura.” Në një letër tjetër, Mehmeti i thotë: “Pas ikjes tënde, ne ndihemi jetimë”.

Mos vallë këta “të plotfuqishëm misteriozë miq a misionarë të huaj” përveç çifteve që përmend Nexhmija, planifikuan (fshehtas edhe nga të dy protagonistët) edhe njohjen e pastaj lidhjen martesore të Mehmetit me Fiqireten, madje edhe martesën e Enverit e Nexhmijes, në kuadrin e planeve titiste të pas luftës për krijimin e Republikës së Shtatë Jugosllave në Kosovë dhe në Shqipëri? Lidhja Enver – Nexhmije mos u planifikua nga misionarët jugosllavë si urë Shqipëri – Kosovë dhe Jug – Veri, që ishin të dyja të rëndësishme në planet e organizimit të rezistencës antifashiste te ne?

Pavarësisht nga rrethanat apo planet që mund të jenë kurdisur pas shpinës së tyre, lidhja mes Enverit dhe Nexhmijes u provua se, në të vërtetë, pati në themel një dashuri të shëndetshme, të natyrshme e të sinqertë. Ajo u zhvillua dhe rrodhi në vite si në një qiell pa re. Në harmoni e çiltërsi të admirueshme nga të dy. Pa konflikte, pa dredhi, pa dyshime e mosmarrëveshje nga të dy. Sepse dashuria, siç thotë Andre Maurois, përballon më lehtë mallin dhe vdekjen sesa dyshimin dhe tradhtinë.

Por ëndrrat dhe entuziazmi vajzëror i Nexhmijes në vitet kur do të përfshihej, bashkë me Ramizin, në forcimin e rinisë komuniste dhe edukimin e saj me dëshirën e zjarrtë për një botë të re, pa shfrytëzim, me barazi e begati për të gjithë, dalëngadalë u pakën e u shuan gjatë viteve, kur fati e vuri Nexhmijen pranë majës së pushtetit, përkrah Enverit, si bashkëpunëtore, bashkëshorte dhe nëna e fëmijëve të tij. Ajo nuk mund ta dinte asokohe se mbajtja e pushtetit ishte shumë më e vështirë sesa fitimi i tij.

Related Posts

Makina del nga rruga në aksin Levan, dyshohet për një të plagosur
Kryesore

Aksident në Tepelenë, një i dëmtuar lehtë

10/03/2026
Moti i keq/ Policia thirrje qytetarëve: Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor
Kryesore

Sherr mes shoferëve në aksin Levan-Tepelenë, 38-vjeçari shpallet në kërkim

10/03/2026
Përmetari bën “të fortin” me policinë në Gjirokastër, nuk i ndalon në rrugë sepse transportonte klandestinë, shpallet në kërkim
Kryesore

I gjejnë kanabis me vete, arrestohet i riu nga Asim Zeneli

10/03/2026
Gjirokastër, dhëndri rreh vjehrrën, arrestohet nga policia
Kryesore

Gjirokastër, i riu shpallet në kërkim, mashtroi një person se do t’i blinte makinën dhe u largua

10/03/2026
Kumbaro mbledh deputetët dhe kryebashkiakët në Gjirokastër: Projekte të reja në të katër cepat e qarkut
Kryesore

Kumbaro mbledh deputetët dhe kryebashkiakët në Gjirokastër: Projekte të reja në të katër cepat e qarkut

10/03/2026
Ndërron jetë në spital punëtori nga Gjirokastra, ra nga lartësia para disa ditësh
Kryesore

Ndërron jetë në spital punëtori nga Gjirokastra, ra nga lartësia para disa ditësh

10/03/2026

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Ellie Goulding ndan lajmin e ëmbël, mirëpret në jetë vajzën e saj

Ellie Goulding ndan lajmin e ëmbël, mirëpret në jetë vajzën e saj

11/03/2026
“Babai yt është në burg”/ Përplasje e fortë mes Rogertit dhe Selin

“Babai yt është në burg”/ Përplasje e fortë mes Rogertit dhe Selin

11/03/2026
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al