Makthi PS-PD nga ligji zgjedhor “vot-për-kok”
Nga Artan XH. DUKA Prof. As. Dr
“Konsensusi” taze PS-PD mbi reformën zgjedhore është mbase tym i bardhë për “kënetën” e politikës por kurrsesi për demokracinë dhe votën e lirë. Njëri-tjetrit asnjëherë nuk ia dalim dot, ndaj dhe thelbi i konsensusit e dakortësisë në shoqëri e politikë, është shkuarja në votime çdo katër vjet dhe zbatimi ligjeve të miratuara me shumicë. Nëse duhen ndryshuar rregullat e votimit, duhet pritur vota e rradhës dhe dalja me premtimin elektoral për reformimin e ligjit zgjedhor.
Dalldisja për “konsensus” që degradon demokracinë e ngre pikëpyetje ndaj faktorit ndërkombëtar, është thjesht tym i bardhë për statukuonë e politikës së mbrapshtë në vënd.
Këshilli Politik është përçudnim antikushtetues antidemokratik sepse Kushtetuta e rregullon demokracinë përmes ligjeve, votës së qytetarit dhe shumicave të cilësuara në parlament e gjetkë dhe jo standartit të “konsensusit” në tryezë kulisash partiak dhe trajtimit të parlamentit si zyrë noterie e kancelerie të saj. Tryeza “legalizoi” antikushtetutshmërinë dhe kjo vetëm pak ditë pas preçedentit të platformës presidenciale dhe zhurmës me të.
Me uljen në tryezë, PS, si parti në pushtet, nuk dëshmoi respekt institucional. U bë palë dhe “legalizoi” PD e LSI në qasjen e tyre të rrugës kundër parlamentit e votës, sikurse anashkaloi e shpërfilli politikanë që me kurajo zunë vëndet bosh në parlament duke shmangur percipitimin e krizës apo të tjerë që ligji zgjedhor i diskriminon si të “vegjël” pavarësisht kauzave madhore pas.
Tryeza mbeti një tymnajë politike, ku u hodhën gurë pas guri në lumë, duke ofruar vetëm gjë-a-gjëza mediatike në pritje të “tymit të bardhë” që i shkon për shtat atyre që i ndruhen votës së lirë dhe referendumit për sistemin zgjedhor. U duhet imuniteti politik që garantohet nga listat e mbyllura, tani që ai juridik po u rrëshqet nga reforma në drejtësi!
Tryezat informale janë gjithnjë një shans për emancipimin demokratik por jo si “parazit” në kurriz të institucioneve. Në demokraci nuk ecet me ujdira kulisash dhe argumenti se “kompromisi nënkupton lëshim reciprok” është vetëm alibi e pazarit politik. Debati dhe vula vihen në parlament dhe nëse ai spostohet tek farsa e Këshillit Politik, farsë i bie të jetë Parlamenti (atëhere vërtet nevojitet një ligj zgjedhor që mundëson meritë e dinjitet për çdo përfaqësues të popullit në të).
Konsensusi partiak si alibi për nëpërkëmbje reformash dhe ortakëri!
I vetmi konsensus që i shërben demokracisë, është ai mes partive dhe votuesit në zgjedhje, mes partive në parlament dhe mes të gjithëve dhe ligjit njëlloj për këdo. Si parti në pushtet, PS duhet të jetë më e gatshme për konsensus, por jo duke nëpërkëmbur institucionet për më tepër ndaj një politike hileqare që bojkoton institucione, i kundërvihet votës së lirë, provokoi anarkinë etj. Vicklat e PD që hall ka sa të ulet në tryezë dhe pastaj ta zvarriti me yçkla e retorika boshe atë e pjellë mali një mi në fund, nuk befasojnë kënd. E ka zakon arrogancën në pushtet dhe vet-viktimizimin në opozitë! Nga arbitrariteti i qeverisjes së ‘90 apo pas 2005 (ndonse në pushtet me paterica), kundërvënia e anatemimi ndaj Kushtetutës, cirku me çadër në bulevard për pazare nate etj.
Ndaj dhe PS, më shumë se ujdinë me PD e bishtat e saj, duhet të vlerësojë dakortësinë me votuesin, SHBA e BE si kujdestarë të demokracisë dhe vetë ligjet e shtetit ligjor. Ndryshe, është bashkëfajtore në zvarritjen e reformave dhe “mullarin” e problemeve pafund.
Nëse PS e ka fiksim konsensusin, parlamentin aty e ka dhe aty e vetëm aty dhe me mëndje të hapur, duhet të konsultohen edhe partitë e papërfaqësuara në Kuvënd apo grupime interesi qytetar. Dhe nëse ka ujdi, të paktën është ditën me diell! Deri edhe tek qeveria “kujdestare” me prani të opozitës dy muaj para zgjedhjeve si rutinë e re në politikën tonë e sanksionuar deri në Kushtetutë. Fundja, 2 muaj nuk kompromentojnë 4 vjet ushtrim pushteti dhe ndërkohë hiqet çdo merak politik e qytetar.
Ca ligji zgjedhor, ca votuesi vetë!
Rutina e parlamentit dëshmon se kemi nevojë për reformë dhe jo arnime të ligjit zgjedhor. Tani që topi ka kaluar në parlament, duhet arritur konsensus për një ligj të ri zgjedhor. Në pamundësi të STV irlandez që heq merakun e të “keqes” më të madhe, variant efektiv mbetet ai mazhoritar (vot-për-kok) me korrigjim proporcional që rivendos meritën dhe dinjitetin e deputetit. Ndroja nga futja e të “fortëve” nuk qëndron sepse drejtësia e ligji nuk janë si më parë. Dhe nëse koha nuk premton, minimumi të hapen listat për ligjin ekzistues.
Politika e tranzicionit është përfolur shumë për abuzim ndaj dhe nuk habit rezistenca për të kaluar reforma që mund ta nxjerrin zbuluar atë. U degradua reforma e pronës për të legalizuar abuzimin me pronën e pasurinë, u arnua Kushtetuta për të miratuar ligj zgjedhor që garanton imunitet politik ndaj veprimit të ligjit dhe vetë drejtësia u kap gjatë për të mbrojtur abuzimin kur e drejta adresohej në gjykatë. Ndaj dhe sot reforma zgjedhore bart konflikt interesi mes saj dhe politikës abuzive. Vota e lirë nuk pranohet nga ata që humbasin prej saj.
Por përtej kritikave për sistemin zgjedhor (të gjithë janë demokratik), “topi” mbetet tek votuesi. Sado të stonojë ligji zgjedhor, është në dorën e qytetarit kë parti të votojë. Nëse apriori shtyhet të zgjedhë mes dy të këqijave, t’i refuzojë të dyja dhe votojë një të tretë. Nëse nuk ka një të tretë, të frymëzojë një të tretë apo organizohet e krijojë një të tretë që krye-premtim ka ligjin e ri zgjedhor apo referendumin për të. Ndryshe, të qaravitesh edhe për gjëra që i kemi në dorë vetë, është mefshtësi intelektuale e qytetare në demokraci.
E kanë gogol votën e lirë. Me këta nëpërkëmbë, as referendumit nuk i dihet!
Kemi përjetuar më shumë se një variant zgjedhor ndaj, mund dhe duhet të reflektojmë. Dhe nëse sytë janë nga referendumi, sado “hyjnor”, ai nuk duhet marrë i mirëqënë. Ndonse demokraci direkte, referendumi nuk është automatikisht bartës i së vërtetës dhe objektivitetit politik dhe mund të ndajë keq publikun.
Akoma më keq, aq sa mundësi për zhbërjen e statukuosë së abuzimit, mund të jetë dhe alibi për këtë statukuo për të vijuar si më parë. Referendumi është votim dhe politika e kulisave nuk e ka për gjë të fusë duart edhe në të me rrezikun se kësaj here “verdikti” do të jetë “plebishitar” dhe me të do spekulohet gjatë si rifreskim “liçense” për abuzimin politik.
Referendumi kërkon frymë që duhet të krijohet dhe bartet nga qytetarë me integritet e të respektuar në shoqëri që ngjallin entusiazëm tek shumica në publik. Nga mbledhja e firmave për peticion (nëse politika nuk e ofron vetë apo e ngushton objektin e referendumit), argumenti publik që vë në siklet e ekspozon politikën abuzive ndaj qytetarit (dhe motivon reformatorët brënda partive) etj.
Lajmi i mirë është fakti se herët a vonë, si reforma në drejtësi, ashtu dhe ajo elektorale do të futen në hulli sepse Shqipëria është pjesë e “mozaikut” perëndimor dhe afërmëndsh, anomalia demokratike stonon dhe SHBA e BE nuk do rrinë duarkryq.
Nuk ka të bëjë fare me retorikën e sovranitetit nga ata që me reformat po u ikën imuniteti juridik dhe ai politik. E kemi vet-ofruar atë me konsensus bashkë me kërkesën për në BE apo me praninë në NATO e institucione ndërkombëtare. E më mirë ta ndajmë me partnerë në tryeza ku ndahet e mira e përbashkët sesa të shtrohet si “beze” në tryezën e pazarit politik ku ulen nga halli i tyre, jo i shoqërisë, dhe pastaj e bëjnë tërkuzë se i detyron po ai.