Blerta Josifi, 34 vjeçe, e vetmja e mbijetuar e horrorit në shtëpinë mbrapa ish-Mapos në Kombinat, ka rrëfyer për hetuesit versionin e saj për të ëmën dhe motrën e vdekur. Josifi, në gjendje të rëndë psikologjike, e shtruar në spitalin Psikiatri, ka sqaruar se kur ka qenë e vogël, ka qenë pjesë e grupit të besimtarëve “Dëshmitarët e Jehovait”, e më pas e Kishës Ungjillore, por sqaron që prej vitit 2018, tri gratë janë mbyllur në banesë, duke mos u bërë pjesë e asnjë sekti fetar.
Ajo thotë se: Që kur isha 15 vjeçe kam ndjekur “Dëshmitarit e Jehovait”. Më vonë kemi qenë edhe në kishën Ungjëllore. 2 vitet e fundit u shkëputëm dhe nuk shkonim në asnjë kult fetar por besonim në ringjallje dhe i kryenim ritet në banesë. Ritet e ringjalljes fillimisht i nisi Anisa në fillim të vitit 2019. Motra ime, Anisa qëndroi 52 ditë pa ngrënë e pa pirë. Në mars të 2020 nisëm edhe ne me agjërimin, pinim vetëm ujë, donim të bënim sakrificë të kthenim motrën në jetë. Përpara se motra të linte ushqimin e pushtuan demonët dhe krizat nervore. Nuk i treguam askujt. ditën që mami ndërroi jetë, u ul në gjunjë të lutej.
Blerta ka treguar se motrës i bënin të gjitha ritualet që lexonin në Bibël dhe shpresonin tek rikthimi i saj në jetë. Të gjitha “procedurat” e ndjekura për mumifikimin e saj, nënë e bijë i kanë shkruar në një fletore, e cila ka përfunduar në duart e Policisë. “Pasi ndërroi jetë Anisa, prisnim ringjalljen e saj. Ato që lexonim në Bibël ia bënim motrës. Kishim besim tek ringjallja e saj. Nëna dhe unë kishin gati 40-45 ditë që nuk ushqeheshim. Pinim vetëm ujë. Edhe atë e merrnin nga çezma dhe e kullonim”, është shprehur Blerta.
Blerta zbulon në dëshminë e saj se Anisa, ka vdekur 16 muaj më parë, pikërisht më datë 29 mars 2019. Ndërkohë sipas vajzës, mamaja e saj ka gjetur vdekjen më 2 korrik të këtij viti. “Motra vdiq më 29 mars të vitit 2019. Mami më 2 korrik të këtij viti” mësohet të ketë thënë vajza.
Ngjarja e rëndë u zbulua mbrëmjen e 2 korrikut dhe tronditi opinionin publik. Në pallatin parafabrikat mbrapa ish-Mapos rruga “Hamdi Cenoimeri”, dy trupat e vdekur të dy grave kanë “bashkëjetuan” për muaj me me banorët e lagjes. Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe Anisa Josifi 30 vjeçe, u gjetën të vdekura në banesë, ndërsa në gjendje të rëndë ishte edhe vajza tjetër e Zhanetës, Blerta Josifi 34-vjeçe. Kjo e fundit bashkë me nënën e saj kishin mbajtur në banesë trupin e pajetë të Anisës, të cilin e lyenin me vaj e uthur që të mos binte erë. Në banesën e tyre të thjeshtë në këtë lagje të Tiranës, policia gjeti shënime fetare, ku u mësua se nëna dhe dy vajzat kanë qenë praktikante të sektit të njohur si “Dëshmitarët e Jehovait”. Blerta që prej 2 korrikut, ndodhet e shtruar në spitalin Psikiatrik të Tiranës.