Klement Balili, i njohur ndryshe me nofkën “Eskobari i Ballkanit”, ka kërkuar që të ndryshojë burg për të kryer dënimin prej 10 vitesh heqje lirie. Balili ka kërkuar nga Gjykata e Elbasanit që 10 vitet brenda qelisë t’i kalojë në një burg të sigurisë së zakonshme edhe pse është dënuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për “trafik lëndësh narkotike”.
Sipas gazetarit Elton Qyno, i dënuari, që më parë ka kërkuar edhe pafajsinë, kërkon nga togat e zeza të Elbasanit që nga burgu i Peqinit, një burg që kategorizohet “i sigurisë së lartë”, të kalojë në një burg të sigurisë së zakonshme, për të përfituar edhe lehtësia sa i përket lejeve për të dalë nga qelia apo edhe ulje dënimi.
Gjykata e Elbasanit ka marrë në shqyrtim kërkesën e tij dhe pritet që në ditët në vijim të marrë një vendim për “fatin” e Balilit.
Historia e Klement Balilit
Klement Balili ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja. Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia. Mediat greke në 2016 pohuan se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste Kelment Balilit, të cilin e quajtën edhe “Escobari i Ballkanit”. Hetimi ndaj Balilit në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke.
Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke, janë asistuar edhe nga policia shqiptare. Balili të vetmen dalje publike e ka në 2016 duke mohuar akuzat e drejtësisë greke më pas u arratis, pasi u shpall në kërkim.
Ai është pronar i disa bizneseve duke filluar nga “Santa Quaranta” në Sarandë, hotel Olivia në bregdetin e Butrintit, ndërkohë që së bashku me vëllezërit e tij ka qenë pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk” në qarkun e Vlorës dhe disa bizneseve të tjera. Për arrestimin e Balilit nuk kanë munguar dhe qëndrimet e selive diplomatike. Ish-ambasadori amerikan Donald Lu gjatë mandatit që shërbeu në Shqipëri e cilësoi “peshk i madh”.