Sepse Gjirokastra nuk është thjesht formë. Çdo rrugicë me kalldrëm, çdo odaë, çdo penxhere me kortinka, çdo hark porte, kambanë kishe, gdhendje… fsheh shekuj histori. Edhe të riun më të “pandjeshëm”, “infektuar” prej teknologjisë, nuk do ta linte indiferent
Mali i Gjerë mbuluar me re, pamja e rëndë e qytetit të hirtë, veshur nga hija mistike e veprave të Kadaresë.
E kështu, mësues të Liceut Artistik “Jordan Misja” e atij të Gjirokastrës, si në një bast me veten, do t’i drejtonin nxënësit e tyre, pikërisht kah trashëgimia kulturore, për të kuptuar qasjen e tyre ndaj saj. Pas një eksperience pozitive në Voskopojë, ishte radha e Gjirokastrës për të qenë epiqendra e një kërkimi artistik.
Nga data 26-30 prill u hap në shtëpinë-muze “Kadare” ekspozita “Gjirokastra, trashëgimia jonë”, organizuar nga dr. Ahilino Palushi, kurator Florian Haxhihyseni, koordinator Gazmend Koçollari, mësues në Liceun e Gjirokastrës. Janë vepra në pikturë, vizatim e fotografi të nxënësve të vitit të tretë e të katërt të Liceut Artistik në Tiranë dhe nxënës të Liceut të Gjirokastrës.
Një projekt i mbështetur financiarisht nga vetë pjesëmarrësit në këtë ekspozitë. Për kuratorin e ekspozitës, Florian Haxhihyseni, i gjithë procesi i realizimit të punëve, i cili zgjati 4 ditë, e më pas përzgjedhja e tyre, ka qenë një përvojë shumë pozitive, sidomos për nxënësit, të cilët orientohen jo vetëm drejt kërkimeve të reja, por nxiten edhe drejt vlerësimit dhe ruajtjes së asaj çka është më e mira në vendin tonë, e në këtë rast trashëgimia kulturore.
“Gjatë qëndrimit në qytet, nxënësit kanë qenë të lirë të kapin atë çka është më interesante në këndvështrimin e tyre, por ka pasur edhe raste, kur i kemi orientuar drejt objekteve ta caktuara, si për shembull kishat. Por, me rëndësi ka qenë edhe koha e reflektimit mbi punën e bërë. Pas çdo dite pune jemi mbledhur për të diskutuar për materialet e fotografuara”, thotë Haxhihyseni, duke e vlerësuar të rëndësishëm edhe elementin dokumentues, që ka fotografia apo vizatimi.
Magjia që të ofron Gjirokastra është e dukshme në veprat e nxënësve. Ata janë përpjekur të kalojnë përtej dukjes së zakonshme, duke tentuar të kapin shpirtin e një qyteti, “fshehur” detajesh të imëta.
Jo vetëm kalaja, kulla e sahatit, por edhe një parmak, një kambanë apo një gdhendje ofron shumëçka nga qyteti i shpallur trashëgimi kulturore botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Dhe, atje përtej, parë nga një frëngji, qyteti i ri, zhveshur nga çdo lloj misteri… Për t’i qëndruar deri në fund kësaj atmosfere, ekspozita u vendos të realizohet pikërisht në shtëpinë-muze të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili, përmes veprës së tij, e ka bërë qytetin e lindjes të njohur në të gjithë botën, më shumë se çdo projekt tjetër promovues.
Ndërkohë nxënësit e Liceut shpresojnë ta vazhdojnë udhëtimin e tyre në të tjera qytete apo site të trashëgimisë kulturore. Stacioni i radhës mund të jetë Berati, pse jo.